Arbëri

Zyra e Kryeparlamentarit shpenzoi 7 mijë euro për një biletë udhëtimi për këshilltarin e Veselit

Aktivitetet e shpeshta me karakter elektoral të ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, kanë bërë që të rriten dukshëm edhe shpenzimet për muajin dhjetor të vitit 2016 për legjislativin e vendit.

Vetëm për stafin politik të ish-kryeparlamentarit Veseli, për paga dhe mëditje për muajt tetor dhe nëntor buxhetit të shtetit i ka kushtuar 88 mijë euro, raporton KTV.

Ndërsa për muajin dhjetor janë shpenzuar 64 mijë euro, apo 20 mijë euro më shumë se dy muajt paraprakë.

Për shpenzimet e udhëtimit zyrtar jashtë vendit, stafi politik i Veselit ka harxhuar rreth 24 mijë euro.

Por, buxheti i Kuvendit nuk është kursyer aspak në udhëtimet jashtë vendit.

Për këshilltarin e Kadri Veselit, Avni Bytyqi, për një biletë udhëtimi është paguar 7 mijë 421 euro 99 cent. Këtë udhëtim e kishte realizuar më 7 nëntor 2016.

Ndërsa, në një udhëtim tjetër që kishte realizuar më 16 nëntor të vitit të kaluar këshilltarit të Veselit Avni Bytyqi, udhëtimi i kishte kushtuar 3 mijë 30 euro e 60 cent.

Edhe këshilltarit tjetër të Veselit, Driton Lajqi, një biletë i është paguar 2 mijë e 49 euro.

Në një përgjigje për KTV-në, stafi i kabinetit të ish-kryetarit Veseli, shumën e pagesës së biletave e ka arsyetuar me faktin që sipas tyre, biletat janë aranzhuar nga Autoriteti Qendror i Prokurimit dhe për këtë, kanë kërkuar hetim shtesë nga sekretari i Kuvendit.

Për mëditje të udhëtimit zyrtar jashtë vendit, stafi politik i ish-kryeparlamentarit Veseli, për tremujorin e fundit të vitit të kaluar, kishte harxhuar 5 mijë e 654 euro e 43 cent.

Vetëm për akomodim për udhëtim jashtë vendit, stafi politik i Veselit ka harxhuar mbi 1 mijë euro.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës për muajt tetor, nëntor dhe dhjetor nga buxheti i shtetit janë paguar rreth 900 mijë euro.

Mëditje për udhëtime jashtë vendit, deputetët kanë marrë mbi 40 mijë euro, ndërsa vetëm për akomodim në këto udhëtime kanë harxhuar mbi 38 mijë euro.

Vetëm për mbushje të telefonave mobilë të deputetëve janë paguar mbi 15 mijë euro për këtë tremujor.

Për vitin 2016, deputetët e Kuvendit janë paguar 3 milionë e 200 mijë euro.
 

Ndërsa, së bashku me Administratën e Kuvendit, stafin mbështetës politik, i ka kushtuar buxhetit të shtetit rreth 6 milionë euro.