Arbëri

Mesazhet e krerëve të lartë të NATO-s për FSK-në u kuptuan ndryshe në Kosovë

Vetëm brenda pak ditëve, në Kosovë zbritën dy krerë të lartë politikë e ushtarakë të NATO-së.

Pikërisht në kohën kur diskutohej për të ardhmen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, për vizitë zyrtare në Prishtinë erdhën sekretari i aleancës veriatlantike, Jens Stoltenberg dhe Komandanti Suprem, Curtis Scaparrotti.

Që të dy theksuan se e ardhmja e FSK-së është çështje e brendshme e Prishtinës zyrtare dhe se pavarësisht kësaj, KFOR-i, sipas tyre, do të vazhdojë të kontribuojë për stabilitetin në rajon.

Por, këto deklarata ndryshe i interpreton shefi i deputetëve të LDK-së, Ismet Beqiri. Ai insiston se nga amerikanët u është thënë troç se FSK-ja nuk mund të bëhet ushtri pa pëlqimin e serbëve dhe pa ndryshimet kushtetuese, në të kundërtën, sipas tij, rrezikohet tërheqja e KFOR-it nga Kosova.

Por, ish-komandanti i FSK-së, Kadri Kastrati, thotë se i kuptoi ndryshe mesazhet e dhëna nga krerët e lartë të NATO-së.

Gjeneral Kastrati, i cili vetë kishte përgatitur strategjinë për transformimin e FSK-së në vitin 2014, ka potencuar se ekziston plani B për të ardhmen e kësaj force.

Madje, sipas tij, ky plan duhet bazuar vetëm në nenin 128 të Kushtetutës së Kosovës.

Kuvendi i Kosovës, 3 vjet pasi dështoi të bëjë ndryshimet Kushtetuese për t’ia ndërruar misionin FSK-së, zhvilloi një debat, nga i cili nxori vetëm një rezolutë.