Arbëri

Trenat e Kosovës ndalojnë operimin deri në lirimin e makinistit të arrestuar pas aksidentit tragjik në Klinë

Foto: Koha

Kryesia e Sindikatës së Pavarur të Hekurudhave – Trainkos, ka njoftuar se nesër nga ora 05:00 do të bëhet ndalimi i qarkullimit të të gjithë trenave në vend, ku përfshihen trenat e mallrave dhe ata të udhëtarëve.

Ky vendim, sipas kësaj Sindikate, është marrë pas arrestimit të makinistit të trenit të relacionit Pejë – Prishtinë gjatë ditës së djeshme nga Policia e Kosovës pas aksidentit ku mbeti e vdekur një e mitur në Klinë.

“Me datën 18.09.2019 në ora 19:30 minuta, është mbajtur takimi i Kryesisë së SPH – Trainkos me Kryetarë të Shoqatave Sindikale, dhe merret vendimi i lartcekur, si pasojë e arrestimit/ndalimit të kolegut tonë, makinistit të trenit 4200 (relacioni Pejë – Prishtinë) të datës 17.09.2019 nga Policia e Kosovës në mënyrë të padrejtë”, thuhet në njoftimin e Kryesisë së Sindikatës.

Sipas kësaj Sindikate, me arrestimin e makinistit nuk është respektuar Ligji mbi Hekurudhat e Kosovës si dhe Rregulloret dhe Udhëzimet e tjera administrative. Ata kërkojnë nga Qeveria e Kosovës, Ministria e Infrastrukturës, Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Ministria e Punëve të Brendshme, që të bëhet lirimi në mënyrë sa më të shpejtë i kolegut të tyre dhe të fillohet të respektohet Ligji mbi Hekurudhat e Kosovës.

Kryesia e Sindikatës së Pavarur të Hekurudhave – Trainkos thotë se qarkullimi i trenave do të fillojë me lirimin e kolegut të tyre nga masa e arrestit.

Kujtojmë se gjatë ditës të martës, në Klinë ka vdekur një e mitur si pasojë e lëndimeve që ka marrë nga goditja e trenit.