Arbëri

Qytetaria aktive e shpëton shoqërinë

Mexhide Demolli-Nimani është drejtoreshë ekzekutive e Lëvizjes FOL dhe një nga bashkëthemelueset e saj. Për një kohë të gjatë ajo ka qenë koordinatore e zyrës së medias dhe gjithashtu menaxhere e shumë projekteve në FOL. Për shumë vite ka qenë e angazhuar në promovimin e transparencës dhe të llogaridhënies së institucioneve publike. Ajo ka hartuar dhe koordinuar fushata ndërgjegjësimi për qytetarët lidhur me Ligjin për Qasje në Dokumente Publike në të gjitha komunat e Kosovës.

Gjithashtu është angazhuar për promovimin e dialogut midis qytetarëve dhe institucioneve të drejtësisë për vite, duke projektuar fushata komunikimi nëpër komuna ndërmjet grupeve të qytetarëve dhe institucioneve të drejtësisë. Para punës në Lëvizjen FOL, ajo punoi gazetare për katër vjet. Mexhidja ka përfunduar Fakultetin e Gazetarisë dhe Fakultetin e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe në universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Gazetaria është pasioni im. Duke qenë se shkollën e mesme e mbarova pas luftës, atëherë ishte vetëm fakulteti i gazetarisë “Faik Konica”. Mbaj mend insistimin e familjes se gazetaria nuk është profesion për gra. Arsyeja kryesore ishte se je gjithmonë në terren…Pavarësisht kësaj, vendosa t’i vazhdoja studimet në Letërsi Shqipe, duke pasur parasysh se shumica e gazetarëve në Kosovë në atë kohë ishin me këtë drejtim, pra me Fakultetin e Gjuhës Shqipe.

Derisa vazhdoja studimet në Letërsi u hap edhe gazeta “Lajm”, një gazetë e një formati më ndryshe nga ajo që ishim mësuar ta shihnim. Aty fillova hapat e parë në profesionin e gazetarisë, ku punova për katër vjet. E doja, sepse asnjë ditë e punës nuk ngjasonte me ditën tjetër. Çdo ditë një artikull i ri, një ngjarje e re dhe personazhe të ndryshme, shkruan sot Koha Ditore.

Ky profesion apo pasion vazhdon të më përcjellë edhe sot e kësaj dite, saqë ende vazhdoj të mendoj si gazetare për çdo problem që hasi në përditshmëri, pavarësisht që nuk merrem direkt me të që nga viti 2008. Pas disa viteve arrita ta përfundoja edhe Fakultetin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, të cilin e ndoqa paralelisht me punën në terren përmes gazetës “Lajm”.

“FOL-08” ishte emri i përdoruesve të organizatës “Aksioni Qytetar FOL 08”, nga i cili vinin komunikatat e disa të rinjve, që përmes performancave të tyre po tërhiqnin vëmendjen e opinionit për shumë çështje. I admiroja për gjërat që i bënin. Vetëm disa muaj më vonë, janar 2009, fillova rrugëtimin tim në organizatën joqeveritare, Lëvizja FOL, ku i bëra 10 vjet në këtë organizatë.

Me shume sfida, por edhe me shumë momente të bukura arritëm që “Aksionin Qytetar FOL 08” ta shndërrojmë në organizatën kyç në luftimin e korrupsionit dhe qytetari aktive. Lëvizja FOL vazhdon përmes reagimeve, raporteve e platformave të ndryshme të kërkojë që në këtë vend të kemi institucione më transparente dhe llogaridhënëse, ngase vetëm transparenca dhe llogaridhënia do të luftonin më së miri korrupsionin....(Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)