Arbëri

Nuk ka ende kërkesë ndërkombëtare për arrestimin e Radoiçiqit

Foto: Reuters

Organet e hetuesisë në Kosovë thonë se ende janë duke i vazhduar hetimet për ndriçimin e vrasjes së politikanit serb nga Mitrovica, Oliver Ivanoviq.

Sipas tyre, hetimet nuk po përfundojnë me sukses, për shkak të mungesës së bashkëpunimit me autoritetet përgjegjëse të Beogradit.

Prokurori i rastit në Prokurorinë Speciale të Kosovës, Sylë Hoxha, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se në asnjë moment nuk kanë pushuar angazhimet për të sjellë para drejtësisë vrasësit e politikanit kosovar të nacionalitetit serb, Oliver Ivanoviq.

“Jemi duke i zhvilluar hetimet. Jemi duke grumbulluar prova me dëshmitarë të ndryshëm të mundshëm dhe në asnjë moment nuk ka pushuar asnjë veprim për rastin konkret, e kam fjalën për veprime procedurale që i kemi për këtë rast”, ka thënë Hoxha.

Politikani serb, Oliver Ivanoviq, ishte vrarë më 16 janar 2018, para selisë së partisë së tij në Mitrovicën Veriore. Ai ishte kryetar i Iniciativës qytetare “Liria, Demokracia dhe Drejtësia”.

Millan Radoiçiq, nënkryetar i Listës Serbe, sipas autoriteteve të Kosovës është i dyshuari kryesor për vrasjen e Ivanoviqit.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, që të lëshojë urdhër-arrest për Millan Radoiçiqin.

Artikullin e plotë mund ta lexoni në Radion Evropa e Lirë.