Arbëri

RrGGK: Dhuna është e papranueshme dhe e dënueshme me legjislacionin në fuqi

Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK) dënon ashpër dhunën e ushtruar ndaj Arbana Xharrës, duke theksuar se dhuna është e papranueshme dhe e dënueshme edhe me legjislacionin në fuqi.

Xharra pak ditë më parë aderoi në subjekt politik. Pa marrë parasysh mendimet politike dhe zgjedhjet e cilitdo për të ardhmen e tyre si dhe fjalët e shprehura, Kosova duhet të jetë shtet në të cilin dominon liria e shprehjes dhe mundësitë e zgjedhjes pa presione.

Xharra, pas aderimit të saj në politikë, është sulmuar këto ditë të fundit në media sociale me një fjalor banal si dhe komente seksiste në vecanti pse është grua. Kjo ka çuar edhe në krijimin e një ambienti gjykues, urryes dhe linçues për të.

Andaj RrGGK kërkon nga organet e drejtësisë që të reagojnë sa më shpejtë në hetimin dhe zbardhjen e rastit me hetime të pavarura për gjetjen e fajtorëve, duke mos lejuar krijimin e një ambienti kaotik dhe konspirativ i cili mund të përdoret për poena politik nga ndonjë subjekt politik në Kosovë.

Një Kosovë e lirë nga dhuna, me të drejtën e lirë të shprehjes si parim bazik dhe me mundësi zgjedhje të lirë për çdo individ, janë parime me të cilat duhet të e ndërtojmë shtetin tonë.