Arbëri

KMDLNJ-ja fajin për vrasjen në Lagjen e Spitalit ia lë neglizhencës së Gjykatave

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut, pas tragjedisë që goditi dy familje në Prishtinë për shkak të mosmarrëveshjes për shfrytëzim të pronës, ka reaguar duke fajësuar gjykatat e Kosovës për neglizhencë në kontestet pronësore.

“Dje, në Prishtinë, në një konflikt të armatosur midis dy familjeve mbeten të vrarë dy persona kurse u plagosën rëndë dy të tjerë. U shkaktua një tragjedi që goditi dy familje e që sipas dyshimeve të bazuara kishin mosmarrëveshje për shfrytëzim të pronës përkatësisht, kishin problem rreth një vije kadastrale e që përfundoi me fatalitet”, nis reagimi i KMDLNJ-së.

Aty thuhet se nuk është hera e parë në Kosovë që ndodhin vrasje për shkak të kontesteve pronësore të pazgjidhura apo shkaku se këto konteste zgjasin në pakufi deri sa ato të zgjidhen e në disa raste bëhet vonë.

“Në KMDLNj ka pasur raste kur për shkak të neglizhencës së gjykatave apo stërzgjatjes së proceseve gjyqësore ka pasur raste të dhunës brenda familjes dhe raste të vrasjeve të familjarëve të ngushtë si vëllanë, djali, babai, etj. Kontestet gjyqësore në rastet që kanë të bëjnë me pronën dhe çështjet tjera civile ka mundësi edhe ligjore të shtyhen për një kohë të gjatë”, thuhet në reagimin e KMDLNJ-së.

Sipas kësaj organizate, pas vrasjes së djeshme që ndodhi në Prishtinë e që tronditi opinionin, Këshilli Gjyqësorë i Kosovës duhet të vihet në lëvizje duke e shtuar efikasitetin dhe duke e shpejtuar dinamikën e gjykimit të rasteve të kontesteve pronësore në mënyrë që të evitohen rastet potenciale të dhunës në të ardhmen.

“Rastet e ndjeshme siç janë ato brenda familjes dhe rastet ku ka përshkallëzuar kontesti duhet të kenë prioritet absolut nëse është qëllimi të parandalohen dhuna dhe vrasjet në të ardhmen”, thuhet në reagimin e KMDLNJ-së, përcjell Koha.net. “Gjithashtu është me rëndësi që të profilizohen gjykatësit dhe t’u ndahet puna e jo që të merren me të gjitha rastet e fushës së civiles”.

Duke shtuar se “Gjykatat kompetente për rastet në fjalë e kanë detyrim ligjor që përmes ngritjes së efikasitetit, efektivitetit dhe dinamikës së gjykimit të rasteve, të luajnë rol parandalues”, KMDLNj kërkon që “me urgjencë të trajtohet puna e gjykatave për çështjet pronësore duke shkuar edhe te caktimi i përgjegjësive në rate kur janë bërë lëshime ose për shkak të neglizhencës apo mosrespektimit të afateve për shqyrtim të rasteve”.

“Për këto raste Policia e Kosovës nuk mund të akuzohet për përgjegjësi direkte për faktin se merret vetëm me pasojat për shkak të dështimit të një institucioni që ka përgjegjësi konkrete – gjykatave që i trajtojnë këto raste. Këto humbje të jetëve të njerëzve, aq sa janë të dhimbshme, me një planifikim, përkushtim më të madh dhe përgjegjësi në respektim të ligjit mund dhe duhet të eliminohen”, thuhet në fund të reagimit.