Arbëri

Haradinaj takon ambasadorin e ri britanik: Partneriteti duhet të avancohet

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, ka takuar sot ambasadorin e ri britanik në Kosovë, Nicholas Abbot, të cilit i ka kërkuar të vazhdojë mbështetjen britanike për proceset nëpër të cilat po kalon Kosova.

Sipas njoftimit nga qeveria, Haradinaj e ka informuar Abbottin për progresin e Kosovës të arritur deri tash, për proceset që po kalon vendi si shkuarja në zgjedhje, nevojën e forcimit të institucioneve demokratike, rritjen e mirëqenies së qytetarëve, thellimin e reformave në vend dhe konsolidimin ndërkombëtar të Kosovës.

“Kryeministri në detyrë, Haradinaj e ka falënderuar z. Abbott për mbështetjen e vazhdueshme që shteti ynë mik, Britania, i ka dhënë dhe vazhdon t’i jap Kosovës në shumë fusha në të gjitha etapat e shtetndërtimit të saj, dhe ka kërkuar nga ai mbështetjen e mëtejme për proceset nëpër të cilat po kalon Kosova”, thuhet në njoftim të qeverisë.

“Ndihma dhe angazhimi i Britanisë së Madhe është i nevojshëm për Kosovën dhe ky partneritet duhet të avancohet edhe në fusha të tjera, në interes për të dyja vendet”, ka deklaruar Haradinaj.