Arbëri

Abbott me një sërë pyetjesh për Lumezin, i thotë se “në supe mban peshë të rëndë”

Descriptive Text

Ambasadori i ri i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott ka disa pyetje për kryeprokurorin e shtetit, Aleksandër Lumezi.

Në tryezën për prezantimin e projektit “Forcimi i Sistemit të Drejtësisë në Kosovë”, ku po merr pjesë edhe Abbott e edhe Lumezi, ambasadori i ri ia ka përkujtuar Lumezit temat që sipas tij ai duhet t’u japë përgjigje.

“Dua të shfrytëzoj rastin e prezencës së Kryeprokurorit të Shtetit në këtë tryezë, i cili në supe mban një peshë të rëndë”, ka thënë ai, raporton Koha Ditore.

Abbott menjëherë ka vazhduar me pyetjet që kishte për të.

“Pse aktakuzat e profilit të lartë nuk rezultojnë më aktgjykime të formës së prerë? Pse nuk ka konfiskime kur shohim kaq shumë pasuri të pashpjegueshme gjithandej nëpër Kosovë, kryesisht nga njerëz të politikës? Pse kryeprokuror rastet e shpëlarjes së parasë nuk trajtohen si krim në vetvete? Shpëlarja e parasë është krim dhe nuk do të duhej të iniciohej vetëm atëherë kur është e lidhur me një vepër tjetër penale. Si qëndron gjendja me ofrimin e masave të sigurisë për prokurorë të guximshëm?”, e ka pyetur Abbott, kryeprokurorin Lumezi.

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi e ka deleguar ‘përgjegjësinë në hallkat e tjera të drejtësisë kur i është përgjigjur pyetjeve të ambasadorit Abbott.

Lumezi ka thënë se e pranon se, “deri tani nuk ka pasur rezultate sidomos në rastet e korrupsionit të profilit të lartë”, por sipas tij institucioni që ai e udhëheqë ka ngritur shumë aktakuza.

“Në bazë të statistikave 50 për qind të rasteve i kemi fituar e 50 për qind të rasteve i kemi humbur”, ka thënë ai.

Sipas Lumezit rastet që i kanë humbur nuk janë pasojë e aktakuzave të dobëta por ka aluduar që ka pasur ngecje në gjykata gjatë trajtimit.

“Unë mendoj që aktakuzat që kemi humbur nuk kanë qenë të pabazuara në fakte “, ka thënë Lumezi.

Sipas tij kjo dëshmohet edhe nga aktgjykimet e Gjykatës Supreme.

Tutje ai ka shtuar se janë 7 aktgjykime përmes të cilave Gjykata Supreme ka vërtetuar se gjykatat e shkallëve me të ulëta nuk i kanë gjykuar ose kanë vlerësuar në mënyrë të gabuar kur i kanë liruar nga akuzat të pandehurit.