Arbëri

PD dhe LGBTI sot protestojnë e marshojnë në Tiranë

Opozita në Shqipëri sot do të protestojë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në Tiranë. Ndonëse opozita ka deklaruar se protesta do të jetë paqësore do të angazhojë një numër të lartë punonjësish policie, të cilët pritet të sigurojnë mbarëvajtjen e tubimit.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, një ditë përpara protestës së opozitës, deklaroi se do të “rrëzohet me forcën e bashkimit republika e vjetër e korrupsionit”.

“Nesër merr rrugën shpresa. Nesër bashkohen në këtë shesh qindra mijëra të rinj e të reja, sepse e dinë që me bashkimin e tyre dhe me vendosmërinë për të mos pranuar zgjedhje të diktuara nga krimi e droga, do t’i hapin rrugën arsimit dinjitoz. Do të marrë fund kaosi korruptiv me maturantët. Me ne bashkohen nesër qindra mijëra sipërmarrës të vegjël, të cilët kanë përjetuar taksat e larta dhe inspektorët e pashpirt. Republika e re do të çlirojë bizneset e vogla nga taksat e larta. Nesër bashkohen me ne qindra mijëra fermerë të lënë në dëshpërim. Zero subvencione dhe investime për ta. Por, nga ky shesh do i kthehet fermerëve shpresa dhe mundësia përmes subvencioneve dhe investimeve që produktet e tyre të shiten. Nesër bashkohen në këtë shesh pensionistët, me pensionet që u rritën më pak se inflacioni. Pensionistët bashkohen për republikën e re, që brenda 4 viteve do të mundësojë që pensioni minimal të jetë jo më pak se 250 mijë lekë (të vjetra) në muaj për çdo pensionist. Do të përgjysmohen edhe biletat e urbanit në të gjithë vendin”, tha Basha.

Policia e Shtetit ka marrë të gjitha masat për të shmangur incidentet apo situatat e dhunës.

Rreth 2 mijë efektivë nga 6 komisariatet e kryeqytetit do të jenë në terren ndërkohë që në gatishmëri do të kalojnë edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe reparti RENEA.

Për të ulur tensionet, kordonet me police femra siç jemi mësuar të shikojnë në protesta të ngjashme, nuk pritet të mungojnë as paraditen e së shtunës.

Në terren dhe mes protestuesve nuk do të mungojnë as agjentët civilë ndërkohë që edhe qarkullimi rrugor ka marrë masa për shmangien e trafikut në pikat hyrëse si pasojë e mjeteve që do pritet të vijnë nga rrethet.

LGBT sot mban paradë në Tiranë

Aleanca LGBT dhe Pro LGBT, komuniteti i Lesbikeve, Gay, Biseksualëve dhe Transeksualëve sot do të mbajnë parada me biçikleta në Tiranë, pavarësisht se në të njëjtën ditë opozita ka njoftuar mbajtjen e një proteste në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Aktivistët LGBTI kanë marrë garancinë direkte nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha se nga ana e mbështetësve të opozitës nuk do të ketë asnjë incident apo kërcënim për mbarëvajtjen e sigurt të këtij aktiviteti.

Parada do të mbahet nga ora 10:00, duke filluar nga Pallati i Kongreseve, pjesëmarrësit do të pedalojnë në bulevard dhe do të kthehen majtas në rrugën Ismail Qemali, do të futen në zonën e ish-bllokut, Rruga Ibrahim Rugova dhe ashtu siç ishte parashikuar do të vazhdojnë përgjatë lumit të Lanës, do të kthehen tek ura në shkollën “Vasil Shanto” dhe do të vazhdojnë përsëri përgjatë Lanës.

Në këtë paradë do të marrin pjesë aktivistë LGBTI nga i gjithë rajoni, mbështetës, aktivistë dhe pjesëtarë të komunitetit LGBTI nga Shqipëria, si dhe përfaqësues të trupit diplomatik në Shqipëri.

Policia ka marrë masa për sigurimin e paradës së komunitetit LGBT, duke shmangur kalimin para çadrës para kryeministrisë.

Në një takim që pati të enjten me shefat e rinj të komisariateve të kryeqytetit, drejtori i ri i policisë së Tiranës, Ardi Veliu u ka kërkuar atyre t’i lihet porosi e veçantë të gjithë punonjësve të policisë që të tregohen të kujdesshëm dhe mos bien pre e situatave apo provokimeve të mundshme.