Arbëri

Veseli: Reagimi i Vuçiqit për therjen e të riut serb është tendencë për destabilizimin e rajonit

Foto: Driton Paçarada / KD

Kreu i PDK-së, Kadri Veseli përmes një postimi në Facebook ka shkruar se deklarata e presidentit serb Aleksandar Vuçiq për therjen të riut serbë është tendencë për destabilizim të rajonit.

Vuçiqi sot ka deklaruar se therja e të riut serb në veri të Mitrovicës “është lajm i keq”, transmeton Koha.net.

Vuçiqi për therjen e të riut serb në Mitrovicën e Veriut: Ky është lajm i keq

“Loja që Alekandar Vuçiç po luan, për interesa të tij të ngushta dhe për konsum të brendshëm politik, është në dëm të bashkëqytetarëve tanë serb të Kosovës. Deklarata e tij e sotshme ka për synim cenimin e sigurisë së Kosovës dhe dëmtimin e stabilitetit rajonal. Prandaj, i bëj thirrje Beogradit, që të heqë dorë nga provokimet dhe të lërë bashkëqytetarët tanë serb rehat të lirë”, ka shkruar Veseli në një postim në Facbook.

Veseli ka dënuar këtë krim, derisa ka kërkuar zbardhjen e rastit.

“Nga ana tjetër, unë dënoj ashpër krimin ordiner të kryer sot dhe bëj thirrje ndaj organeve të zbatimit të ligjit, që sa më shpejtë të zbardhin ngjarjen dhe të vendosin përpara drejtësisë përgjegjësit”, ka shkruar Veseli.

Sipas tij shqiptarët dhe serbët nuk kanë probleme në Shtërpcë, Graçanicë, Novobërdë apo shumë vende të tjera ku jeton shumica dërrmuese e komunitetit serb në Kosovë.

“Problemet ekzistojnë vetëm aty ku Serbia ka interes që të shkaktojë konflikt”, shkruan Veseli. “Kosova është një shtet evropian demokratik, multi-etnik që garanton maksimumin e të drejtave të njeriut dhe të komuniteteve jo-shumicë dhe kurrsesi nuk do të lejojë krijimin e mureve artificialë të ndarjes apo urrejtjes ndër-etnike. Me këtë rast i siguroj bashkëqytetarët tanë serb që Kosova është shteti i të gjithëve atyre që jetojnë këtu dhe do të kujdeset njësoj për të gjithë kudo ku banojnë”.

Ndryshe, D.B. (18) nga Mitrovica, i nacionalitetit serb, është therë me thikë nga persona deri tash të panjohur dhe ndodhet në spitalin e veriut të qytetit, ndërsa mësohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ngjarja ka ndodhur sonte rreth orës 18:00 mbi urën kryesore të Ibrit në Mitrovicë.

Policia ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe është duke punuar në mënyrë intensive për ndriçimin e plotë të rastit dhe kapjen e autorit apo autorëve.

Haradinaj dënon therjen e të riut serb mbi Ibër, thotë se është rast i izoluar që s’e cenon paqen

Kryeministri në detyrë i Kosovës Ramush Haradinaj ka dënuar ashpër rastin e përleshjes dhe therjes së një të riu serb në urën e lumit Ibër.