Arbëri

Vizita e deklaratat e Hoxhajt në Kroaci “alarmojnë” mediat në Serbi

Deklaratat e ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, bërë në vizitën e tij në Kroaci, kanë marrë vëmendje të medieve në Serbi.

Deklarimet e Hoxhajt në lidhje njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia, dialogun dhe se si Serbia synon ta dominojë rajonin në stilin rus kanë zënë faqet e para të gazetave serbe.

B92, Blic, dhe televizionet kryesore serbe kanë raportuar në lidhje me pjesën e intervistës ku ministri Hoxhaj thotë se “të gjitha shtetet e dinë, dhe vetë Beogradi e di që në fund të procesit të dialogut Kosovë Serbi, Serbia duhet ta njohë Kosovën. Përndryshe, ky dialog nuk do të kishte kuptim”.

Po ashtu, deklaratat se Kosova do ta themelojë Asociacionin e Komunave Serbe sipas marrëveshjes së Brukselit, kanë zgjuar interesim në mediat serbe.

Hoxhaj ka folur edhe për komunitetin serb në Kosovë, për të cilët ka thënë se do të punohet për t’i integruar edhe më tutje në institucionet shtetërore, të edukimit dhe të kulturës së Kosovës, përkundër provokimeve të vazhdueshme të Serbisë dhe tentimeve nga ana e saj që t’i përdorë serbët e Kosovës për realizimin e qëllimeve politike, shkruajnë mediat serbe duke cituar ministrin Hoxhaj.

Mediat në Serbi kanë raportuar, po ashtu, për deklaratën e Hoxhajt se Serbia nuk ka për qëllim t’i bashkohet BE-së por ta dominojë në rajonin në stilin rus, duke shkaktuar tensione të vazhdueshme me fqinjët.