Arbëri

Mustafa dëshiron koalicion me Vetëvendosjen, por që kryeministri të jetë nga LDK-ja

Foto: Alban Bujari / KD

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, përmes një postimi u drejtohet qytetarëve, në fakt autoriteteve të Vetëvendosjes, përmes të cilit bën thirrje për ndërtimi e një fronti të përbashkët para ose paszgjedhor " për t’ua pamundësuar PAN-ave dhe përkrahësve të tyre vazhdimin e shkatërrimi të shtetit".

"Nuk i jap të drejtë LDK-së të përzihet se kush nga VV duhet të jetë kryeministër i vendit. Por, nuk i jap të drejtë as VV të na caktojë sesi LDK duhet të vendosë për kryeministrin dhe për njerëzit e fushatës", shkruan ndër të tjera ai, që mund të lexohet si një reagim ndaj zërave nga strukturat e Vetëvendosjes, se “çkapjen e shtetit nga “Klani Pronto” nuk mund ta udhëheq LDK”.

Në vazhdim teksti i plotë i postimit të Isa Mustafës.

"Qytetarë të nderuar,

Jam angazhuar, i mbetem besnik idesë dhe përkushtimit që vendi të qeveriset nga partitë e deritanishme opozitare, LDK dhe Vetëvendosje. Në situatën në të cilën gjendemi, këtë e konsideroj zgjidhjen më të mirë.

Sikurse LDK, ashtu edhe Lëvizja Vetëvendosje ka specifikat e veta. Ka njerëzit me të cilët llogarit fitoren dhe qeverisjen. Kanë ambientin e brendshëm, që dallon.

Nuk i jap të drejtë LDK-së të përzihet se kush nga VV duhet të jetë kryeministër i vendit. Por, nuk i jap të drejtë as VV të na caktojë sesi LDK duhet të vendosë për kryeministrin dhe për njerëzit e fushatës.

Bashkëpunimin e konsideroj proces të respektit reciprok. Kam gëlltitur të kaluarën, sepse e kam vlerësuar më lart interesin e vendit sesa vetveten.

Jemi shprehur pozitivisht për koalicion me VV në interes të forcimit të shtetit dhe dekriminalizimit të vendit.

LDK nuk e kërkon kryeministrin, sepse nënvlerëson z. Albin Kurti dhe meritat e tij. Por se vlerëson znj. Osmani dhe kërkesat e anëtarësisë. Vlerëson kompetencën e LDK-së, ekipin e saj, për qeverisje të mire e pa korrupsion. Kjo është arsyeja e kërkesës sonë për kryeministër.

Në qoftë se jemi të bindur se edhe njërës edhe tjetrës palë i takon kryeministri, kjo nuk do të thotë se duhet të hapim frontin ndërmjet veti. Kemi plot gjëra të mira që mund t’ia adresojë njëra palë tjetrës për bashkëpunimin tonë, por kemi edhe të këqija. Kjo nuk është mënyrë që ne të tentojmë të fitojmë vota. Më shumë preferoj të ndërtojmë front të përbashkët, para ose paszgjedhor, për t’ua pamundësuar PAN-ave dhe përkrahësve të tyre vazhdimin e shkatërrimi të shtetit", përfundon postimi i Isa Mustafës.