Arbëri

Simtiçi dorëhiqet nga posti i drejtorit, aktakuzën për të Haskuka e quan tendencioze

Ertan Simitçi nuk do të udhëheqë më me Drejtorinë për Ekonomi dhe Financa.

Kjo pasi, i njëjti ka dhënë dorëheqje, pas aktakuzës që është ngritur ndaj tij, në fund të muajit të kaluar.

Simitçi dyshohet se ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare, si drejtor për Ekonomi dhe Financa, nën qeverisjen e PDK-së në Komunën e Prizrenit.

Në një konferencë të përbashkët me kryetarin e kësaj komune, Mytaher Haskuka, drejtori i dorëhequr ngriti një sërë pyetjesh lidhur me aktakuzën ndaj tij, derisa u shpreh i bindur se nuk i ka tejkaluar kompetencat.

Ngritjen e aktakuzës, i pari i Prizrenit e quajti tendencioze, duke theksuar se drejtori akuzohet për zbatimin e vendimeve të kryetarit të atëhershëm, Ramadan Muja.

Me gjithë premtimin se në qeverisjen e tij në Prizren nuk do të ketë vend për zyrtarë me aktakuza, Haskuka nuk ka ndërmend të marrë masa ndaj dy zyrtarëve të tjerë të kësaj komune.

Kjo pasi, sipas tij, ata nuk kanë qenë drejtor në kohën kur kanë kryer veprimet, për të cilat akuzohen.

Ertan Simitçi akuzohet se në janar - dhjetor të vitit 2016 në Prizren, në cilësinë e drejtorit për Ekonomi dhe Financa, ka shfrytëzuar autoritetin zyrtar duke u dhënë disa medieve lokale në këtë qytet, para në vlerë prej 11 mijë e 800 euro, pa kaluar fare në procedura të tenderimit, të cilat janë të parapara me ligj.