Arbëri

Macukulli, atje ku u shkrua Formula e Pagëzimit nga Pal Ëngjëlli

Descriptive Text

Tiranë, 23 shkurt - Macukulli shtrihet në një trevë interesante përsa i përket historisë dhe gjeografisë së vendndodhjes së tij.

Lidhet me zonën e Matit ose më sakte ndodhet në zemër të tij. Është një komunë malore. Në përbërje të saj janë fshatrat Macukull, Shelli, Shqefën dhe Vig.

Fshati Macukull, është qendra e komunës dhe ndodhet 860 m mbi nivelin e detit. Fshatrat e tjerë përbërës të saj kanë shtrirje relativisht më të ulët mbi nivelin e detit deri 352 m. në fshatin Shqefën. Distanca më e afërt e komunës me qytetin e Burrelit është 20 km.

Në pjesën lindore, Mali i Dejës 2246 m. e ndan komunën Macukull nga fshatrat e komunës Lurë të Dibrës.

Mali i Dejës është pika më e lartë e kësaj komune dhe e gjithë Matit njëkohësisht maja më e lartë e malit të Dejës është 2246 m. Peizazhi i saj gjeografik, është thellësisht i thyer dhe fushat janë të pakta dhe me sipërfaqe relativisht të vogël.

Klima e kësaj zone është mjaft e ashpër, me dimra të ftohtë dhe të gjatë dhe vera të thata dhe të shkurtra, tipare karakteristike këto të një klime kontinentale.

Kjo lidhet ndër të tjera dhe me lartësinë e madhe mbi nivelin e detit.

Bimësia është e shumëllojshme. Ajo fillon nga dushqet, pyjet e përzier, ahishtet, haloret megjithëse te rrallë, dhe kullotat alpine. Bota shtazore është e pasur dhe e shumëllojshme.

Në malin e Dejës gjendet ariu i murrmë, një specie mjaftë e rrezikuar nga prishja e pyjeve dhe gjuetia e paligjshme.

Aktiviteti kryesor ekonomik i banorëve të kësaj zone, ka qenë dhe mbetet blegtoria. Kjo është e shpjegueshme dhe lidhet ngushtë me karakteristikat gjeografike të zonës.

macukull2Por kjo zonë,ka një prioritet të madh turistik sidomos për periudhën e verës ku peizazhi bëhet mahnitës dhe mikpritja,tradita,etnokultura, kulinaria zonale,bëhen mjaftë tërheqës për turizmin e natyrës dhe të aventurës. Turizmi historik,është një turizëm që duhet nxitur e zhvilluar në këtë zonë.

Kjo zonë është e lidhur shume me historinë e Kastriotëve. Gërmadhat e kalasë së Varoshit (Stelushit), vendodhjes së vendit ku për herë të parë është shkruar gjuha shqipe, do ishin një atraksion turistik me interes të madh që të tjerët do i kishin zili.

Një promovim më i mirë i kësaj zone në aspektin turistik, në të ardhmen ndoshta do ta rriste interesin për vizitorë nga vendi dhe bota dhe kështu,do të rriste dhe ekonominë e komunitetit që banon aty.

Arkitektura tipike malësore e banesave, me kulla aq të shumta në këto anë, janë jo pa interes, nëse nuk do lihen të rrënohen, dhe me projekte të përshtateshin për hane e bujtina turistike.

Shpellat e shumta karstike për jo pak turistë vendas dhe europianë do të ishin një botë me interes të madh për tu eksploruar , si për studiues speleologë dhe për amatorë.

Nga pikëpamja historike Macukulli është i lidhur me ngjarje të rëndësishme të historisë tonë kombëtare.

Me Macukullin lidhet historia e formulës së pagëzimit e cila është dokumenti i parë i shqipes së shkruar prej peshkopit Pal Ëngjëlli.

Sipas studiuesit Dilaver Kurti, vendodhja e kishës së Shën Trinisë, është në Macukull pikërisht në lagjen Dasnjane ku ndodhen dhe rrënojat e saj. Pak me tutje ndodhet kalaja e Skënderbeut (stelushit) mbi grykë të varoshit dhe sipas studimeve dhe gojëdhënave popullore, ngjitur me kalanë ishte një qendër e madhe mjaft e zhvilluar urbane mesjetare, në të cilën Kastriotët kishin selinë e tyre.

Shumë burime historike e lidhin vendlindjen e Skënderbeut pikërisht me këtë zone. Në fshatin Shqefën ndodhet një fis me mbiemrin Kastrioti dhe një varr që në popull njihet me emrin “varri i Vojsaves”.

Deri në fillim të shekullit të 18-të,popullsia vazhdonte të ishte kristiane e ritit latin, megjithëse besimi ne popull kishte degraduar nga mungesa e vazhdueshme e klerit gjë qe beri qe pas viteve 1700 popullsia gradualisht te islamizohej.

Kjo ndodhi më vonë se në gjithë zonat e tjera të Matit.

Me Macukullin lidhet edhe një ngjarje tjetër e rëndësishme, ajo e kundërshtimit të hordhive serbe duke iu shkaktuar dëme të shumta dhe përzënë përfundimisht nga këto zona.

Në Macukull edhe sot e kësaj dite ka fise me emër që kanë bërë histori me bëmat e tyre si ajo e Gjiçëve, Vatdodajt, Koka…etj.

Jemi në pragfillimin e verës dhe natyra ka filluar ripërtëritjen e saj,një udhëtim turistik drejt Macukullit, këtij fshati piktoresk dhe me tradita historike,do të ishte një vlerë emocionale për këdo që do ta bënte këtë udhëtim.

{gallery}