Arbëri

Publikimi i pamjeve të pacientëve nga Ismaili po konsiderohet fushatë që shkel privatësinë

Një paciente e cila flet për shërbimin që e mori në QKUK, u shpërnda nga ministri në dorëheqje i Shëndetësisë Uran Ismaili, në faqen e tij në Facebook.

E pamje të tilla të pacientëve dhe stafit shëndetësor gjatë vizitave të Ismailit në QKUK, ka shumë në faqen e tij zyrtare.

Por, kjo ka shtyrë shoqatën e cila mbron të drejtat e pacientëve që të reagojë.

Kreu i kësaj shoqate, Besim Kodra, thotë se përdorimi i pacientëve për qëllime elektorale nga ana e ministrit është në kundërshtim me një sërë ligjesh dhe rregulloresh që mbrojnë të drejtat e pacientëve dhe privatësinë e tyre.

Kodra shton se do të ishte më mirë që Ismaili të kujdesej që shumë probleme në shëndetësi të kryhen gjatë mandatit të tij.

E sipas lëvizjes “FOL”, koha para zgjedhjeve është periudhë e ndjeshme, sepse zyrtarë të lartë publikë keqpërdorin privatësinë e qytetarëve dhe fëmijëve për të folur rreth të arriturave e tyre.

KTV-ja ka kërkuar përgjigje nga Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, se në cilat raste mund të përdoren pacientët dhe të dhënat e tyre personale për publikim.

Sipas kësaj agjencie, në këto raste, gjithmonë duhet të merret pëlqimi i pacientëve për xhirime.

Ndërsa në rastet kur nuk merret pëlqimi, atëherë duhet të mjegullohet fytyra.

“Të dhënat personale të pacientëve, të transmetuara përmes pamjeve filmike me qëllim të promovimit të të arriturave në shëndetësi, mund të konsiderohen si përpunim i ligjshëm i të dhënave, nëse është marrë pëlqimi paraprak i subjektit të të dhënave (pacientëve), apo i njëjti nuk e ka kundërshtuar xhirimin, respektivisht publikimin e atyre pamjeve. Në rastet kur ky lloj i përpunimit të të dhënave shihet si interes i publikut, mund edhe të mos merret pëlqimi, por gjithsesi duhen aplikuar efektet e mjegullimit të pamjeve të fytyrave të pacientëve Patjetër duhet marrë pëlqimi paraprak i subjektit të të dhënave para publikimit të pamjeve në rrjete sociale apo mediume tjera”, thuhet në përgjigjen nga Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Ndërsa Albatrit Matoshi, këshilltar i Ministrisë së Shëndetësisë, ka konfirmuar se për të gjitha pamjet dhe fotot të cilat deri tani ministri i ka publikuar në rrjetin social Facebook, është marrë leje paraprake nga pacientët.

Ka kohë që ministri i shëndetësisë Uran Ismaili, i shoqëruar edhe nga bashkëpartiakë të tij, përfshirë kryetarin e PDK-së, Kadri Veseli, ka nisur fushatë elektorale duke vizituar dhe promovuar shërbime të QKUK-së dhe spitaleve të tjera.

Sipas Kartës së të Drejtave të Pacientëve: “Çdo qytetar ka të drejtën e konfidencialitetit të informatave personale, duke përfshirë informatat lidhur me gjendjen e tij shëndetësore dhe procedurat e mundshme diagnostike ose terapeutike”.