Arbëri

Vendimet e orëve të fundit të Qeverisë Haradinaj, MPJ emëron ambasadorë të rinj

Një ditë nga data kur pritet të shpërndahet Kuvendi, ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka emëruar gjashtë ambasadorë të rinj të karrierës.

Ambasadorët e emëruar janë: Ilir Dugolli, ambasador në Turqi, Frymëzim Isufaj në Britani të Madhe, Lulzim Mjeku në Arabi Saudite, Lendita Haxhitasimi në Itali, Lulzim Pllana në Austri dhe Adriatik Kryeziu në Kanada, raporton KTV.

Zyra për Media e MPJ-së, në një përgjigje me shkrim për Kohavisionin, ka thënë se emërimi i 60 përqind të ambasadorëve të karrierës, më shumë se sa e kërkon ligji, është premtim i Pacollit, derisa ka adresuar kritika ndaj ministrive të tjera, për emërime politike.

“Ky premtim i ministrit Pacolli, i zbatuar vjen në një kohë kur shumica e qeverisë kritikohet nga vendet perëndimore për emërime politike, ndërsa Ministria e Punëve të Jashtme po jep një shembull se si shërbyesit civilë që kanë përgatitje profesionale mund të marrin drejtimin e përfaqësimit të Kosovës jashtë vendit”, thuhet ndër të tjerash, në përgjigjeje e MPJ-së.

Përkundër këtyre deklarimeve, dy ditë më parë, Behgjet Pacolli, kryetares së Komisionit për Punë të Jashtme, Vjosa Osmanit, ia ka dërguar emrin e deputetit të PDK-së, Nait Hasani, si kandidat për ambasador të Kosovës në Shqipëri.

Në dokumentin e siguruar nga KTV-ja, Pacolli kërkon nga Osmani që të vijojë me procedurat për emërimin e Hasanit në krye të misionit diplomatik të Kosovës në Shqipëri, duke vlerësuar se i njëjti plotëson kriteret e nevojshme.

Dorëheqja e Haradinajt dhe caktimi i datës për shpërndarjen e Kuvendit, nuk ka ndalur zyrtarë qeveritarë që të marrin vendime të tilla, të cilat janë kontestuar nga njohës të çështjeve politike në vend.