Pacolli: Pompeo me pozicion parimor, inkurajoi Serbinë për rifillimin e dialogut

Pacolli: Pompeo me pozicion parimor, inkurajoi Serbinë për rifillimin e dialogut

21 August 2019 18:02

Ministri në dorëheqje i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, është deklaruar pas takimit të sekretarit të Shtetit amerikan Mike Pompeo dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dje në Nju Jork.

Në një shkrim në Facebook, Pacolli shkruan se Pompeo inkurajoi Serbinë të përqendrohet në rifillimin e negociatave me Kosovën për një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizim, e përqendruar në njohjen e ndërsjellë.

“Sekretari Pompeo potencoi se ata duhet të shmangin provokimet që pengojnë procesin e normalizimit, dhe të angazhohen me frymën e kompromisit dhe fleksibilitetit të nevojshëm për të siguruar një marrëveshje dhe për të zhbllokuar potencialin e të dy vendeve”, shkruan ai.

Pacolli ka shprehur mirënjohjen e tij ndaj sekretarit Pompeo për, siç thotë, “pozicionin parimor në mbështetje të Kosovës”, duke thënë se në takimet që ka pasur muajve të fundit me sekretarin e Shtetit, “ka shprehur mbështetjen e fortë për njohjen e Kosovës”.

Edhe zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, ka komentuar deklaratën e Sekretarit Amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, i cili ka thënë se dialogu Kosovë-Serbi duhet të përqendrohet në njohjen e ndërsjellë.

Hoxhaj, përmes një shkrimi i rrjetin social Twitter, ka thënë se e mirëpret deklaratën e Sekretarit Pompeo lidhur me dialogun Kosovë-Serbi.

“E mirëpres deklaratën e Sekretarit Pompeo për dialogun Kosovë-Serbi. Marrëveshja për normalizimin përfundimtar duhet të përqendrohet në njohjen e ndërsjellë si mjeti i vetëm për të dy vendet për të prosperuar dhe përshpejtuar rrugën e tyre të integrimit në BE”, ka shkruar Hoxhaj në Twitter.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme