Arbëri

Analistët vlerësojnë se fushata e hershme parazgjedhore është e pamoralshme

Fillim të punimeve në rrugë të Rahovecit e Skenderajt, inaugurim të projekteve në Gjakovë e Fushë Kosovë.

Këto janë disa nga shumë ngjarjet në të cilat ministri në dorëheqje i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka marrë pjesë që nga dorëheqja e kryeministrit Ramush Haradinaj, raporton KTV.

Në kohën kur ende nuk janë shpallur zgjedhjet e parakohshme, Lekaj, i rrethuar me njerëz të partisë së tij, ka shpeshtuar paraqitjet publike për të folur rreth investimeve në rajone të ndryshme të vendit.

Kjo formë veprimi e ministrave në dorëheqje po vlerësohet si e pamoralshme dhe fushatë nga njohësit e çështjeve politike.

Artan Muhaxhiri, analist politik, thekson se politikanët e dorëhequr nuk do të duhej të thirreshin në kompetencat e posteve të tyre.

Në anën tjetër, zyrtarë të ministrisë së Infrastrukturës mohojnë se me këto paraqitje po bëjnë fushatë.

Vizitat nëpër institucione i ka intensifikuar së fundmi edhe ministri në dorëheqje i Shëndetësisë nga PDK-ja, Uran Ismaili.

Të premten, Ismaili mblodhi punonjësit shëndetësorë për t’ua përsëritur lajmin se në fund të vitit, mjekëve do t’u rriten pagat.