Pjetri dorëhiqet nga marrja e postit të kryebashkiakut të Shkodrës

Pjetri dorëhiqet nga marrja e postit të kryebashkiakut të Shkodrës

15 August 2019 17:33

Valdrin Pjetri ka vendosur të tërhiqet nga marrja e detyrës së kryebashkiakut të Shkodrës. Vendimi vjen pas akuzave të Partisë Demokratike se ka qenë i dënuar në Itali për shpërndarje droge në vitin 2003.

“I ndërgjegjshëm për rëndësinë e imazhit politik dhe i vendosur që këtë sqarim ligjor ta ndërmarr në pozitat e qytetarit të thjeshtë, pa iu bërë barrë askujt, vendos të dorëhiqem nga marrja e detyrës së Kryetarit të Bashkisë Shkodër”, thotë ndër të tjera Pjetri.

Sipas tij, ngjarja për të cilën akuzohet është krejt banale dhe ka ndodhur kur ishte student, ndërkohë që sot është nxjerrë nga konteksti.

“Një ngjarje krejt banale e ndodhur në mes të shokëve të mi bashkëstudent, në të cilën unë nuk kam asnjë faj e përgjegjësi e nuk i kisha kushtuar rëndësi, 17 vjet më parë në moshën 20 vjeçare, u nxor nga konteksti dhe rreth saj u ngritën akuza e linçime përtej çdo skrupulli moral e njerëzor. Nuk e kisha menduar kurrë që një ditë do të gjendesha përballë akuzave të tilla. Dhe sado i bindur të jem në pafajësinë ligjore dhe pastërtinë morale të personit tim, me keqardhje ju rrëfej se të tilla shpifje kanë shkaktuar dhimbje të mëdha te unë e familja ime dhe se unë kurrë nuk kam qenë pjesë e kësaj kategorie për të cilën sot akuzohem”, thotë socialisti, përcjell Top Channel.

Pjetri sqaron se me tërheqjen nga marrja detyrës si kryebashkiak, do të përqendrohet në zgjidhjen ligjore të ngjarjes.

“Në këto kushte, vëmendja dhe energjitë e mia do të përqendrohen tanimë tërësisht në zgjidhjen dhe sqarimin ligjor të kësaj ngjarje të 17 viteve më parë, ngjarje për të cilën në dijeninë time nuk kam pasur asnjë përgjegjësi ligjore në atë kohë”, shprehet ai.

Në fund të reagimit, Pjetri shkruan: “Ju jam mirënjohës të gjithëve për ndihmën dhe mbështetjen që më dhatë në fushatë! Ishte një ëndërr e bukur t’i jepnim Shkodrës atë çka meriton. Por fatet e një qyteti nuk duhen të jenë kurrë të lidhura pashmangshmërisht me fatet e një individi, cilido qoftë ai. Së fundi, ju jam pafundësisht mirënjohës të gjithë atyre që më kanë mbështetur apo dërguar mesazhe solidariteti në këto ditë të vështira për mua. Ju uroj me gjithë shpirt më të mirën për Ju dhe familjen Tuaj!”.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme