Shoqëria civile kërkon ndëshkime nga KQZ-ja dhe hetime nga prokuroria për partitë që shkelin ligjin

Ridvan Hamza Ridvan Hamza 13 August 2019 19:11

Presion i madh ishte bërë për auditimin e financave të partive politike në vend dhe, së voni, raportet për vitin 2017 janë publikuar edhe në ueb-faqen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Partitë e vendit kishin shpenzime më të larta në atë vit, duke marrë parasysh që u zhvilluan dy palë zgjedhje, raporton KTV.

Raportet kanë evidentuar një varg shkeljesh nga subjektet, që të përmbledhura i ka publikuar edhe Grupi për Studime Juridike dhe Politike.

Vlerat e larta nuk ishin arritur të arsyetohen nga subjektet më të mëdha, përfshirë AAK-në me mbi 200 mijë euro, LDK-në me mbi 185 mijë euro dhe PDK-në me 150 mijë euro.

Qindra mijëra euro që ishin paraqitur si detyrime nga PDK-ja, Lëvizja Vetëvendosje e AAK-ja, gjithashtu, nuk kishin arritur të konfirmoheshin.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka arritur të kthejë një përgjigje për televizionin, për të ditur nëse raportet vjetore për subjektet politike për vitin 2017 tashmë janë shqyrtuar dhe nëse ndonjëra prej tyre pritet të ndëshkohet siç e parasheh legjislacionin në fuqi.

Për shumicën e shkeljeve të evidentuara nga auditori, Ligji për Financimin e Subjekteve Politike parasheh një sërë masash ndëshkimore, që mund të fillojnë me shumën prej 10 % të fondit që marrin subjektet nga buxheti në vitin paraprak.

Grupi për Studime Juridike dhe Politike, përveç që kishte kërkuar nga KQZ-ja gjobitjen e subjekteve, kishte kërkuar që me disa prej gjetjeve të merret edhe prokuroria e shtetit.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme