Veseli, QUINT-it: BE-ja të ndalojë përpjekjet e Serbisë për kolonizim si dhe të dënojë kriminelët serbë të luftës Foto: Driton Paçarada / Koha

Veseli, QUINT-it: BE-ja të ndalojë përpjekjet e Serbisë për kolonizim si dhe të dënojë kriminelët serbë të luftës

13 August 2019 16:14

​Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i është përgjigjur letrës së lëshuar sot nga shtetet e QUINT-it, duke thënë se mirëpret ndihmën e shteteve Perëndimore për dialogun, mirëpo ka kërkuar nga BE-ja që të parandalojë tentimet serbe për destruktivitet në Kosovë.

Përmes një statusi në Facebook, Veseli ka pranuar se Kosova ka arritur pavarësinë e saj duke pasur në krah një aleancë të fortë me Perëndimin.

“Ne duhet t’i mbrojmë interesat e Kosovës, por nuk do të jemi në gjendje ta bëjmë këtë pa partnerët tanë strategjikë. Prandaj, mirëpresim përpjekjet e SHBA-së, BE-së, Gjermanisë, Britanisë së Madhe, Francës dhe Italisë për zhvillimin e Dialogut. Megjithatë, ne kërkojmë nga BE që ta parandalojë financimin e strukturave paralele në Kosovë nga Qeveria e Serbisë, të ndalojë projektet kolonizuese serbe përmes ndërtimit të lagjeve në Veri, të lejohet rindërtimi i shtëpive të djegura atje ku shqiptarët jetonin para vitit 2001, si dhe të dënohen kriminelët dhe përdhunuesit serbë për krimet e kryera ndaj shqiptarëve të pafajshëm gjatë dhe pas luftës në Kosovë”, ka shkruar Veseli, raporton Koha.net.

Ai ka thënë po ashtu se një nga temat mbi të cilat qytetarët do të duhet të vendosin në zgjedhjet e parakohshme që pritet të mbahen në fund të shtatorit apo në fillim të tetorit, është “nëse Kosova dëshiron t’i vazhdojë marrëdhëniet e saj të veçanta me aleatët tanë ndërkombëtarë, apo t’i trajtojë ata si armiq dhe të përpiqet që të mbijetojë e vetme”.

Gjatë ditës së sotme, Ambasada e Shteteve të Bashkuara dhe ajo e Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Mbretërisë së Bashkuar i kanë bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë të rinisin bisedimet.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme