Arbëri

Falet Kurban Bajrami, mesazhe për respektimin e gruas

Është falur namazi i Kurban Bajramit, me mesazhe për respektimin e gruas.

Manifestimi qendror kushtuar Kurban Bajramit në Kosovë u mbajt në Xhaminë e Madhe në Prishtinë.

Mesazhin për këtë festë e mbajti zëvendëskryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Reshat Mexhidi.

Në fjalën e tij, Mexhidi tha se porosia e Kurban Bajramit qëndron fuqishëm mbi parimet e bujarisë dhe sakrificës. Ai ka thënë se Zoti nuk e do besimtarin e pasur që është koprrac, transmeton KP.

Ai ftoi që pasuria të shpërndahet me ata që kanë nevojë, pasi sipas tij, solidariteti dhe ndihma është urdhër kuranor dhe amanet i profetit Muhamed.

“Të gjithë ne duhet ta dimë se duke i dhënë të varfërve nuk pakëson pasurinë por Zoti do t’jua shtojë pasurinë”, tha ai.

Mexhidi bëri thirrje që njerëzit të jenë më solidarë e humanë, të tolerojnë dhe luftojnë urrejtjet dhe xhelozitë.

Po ashtu, një porosi e rëndësishme që u përcoll ishte edhe ajo për respektimin e femrës. Mexhidi tha se Zoti urdhëron që të gjithë duhet të sillen mirë me femrat dhe të drejtat e tyre të mos nëpërkëmben.

“Me keqardhje më duhet të them se liria fetare dhe të drejtat e femrës vazhdojnë të shkelen edhe në vendin tim në mënyra dhe forma të ndryshme duke filluar nga liria që i ka dhuruar Allahu, veçmas e drejta e saj për të. Për jetë të dinjitetshme, e lirë dhe jo e nëpërkëmbur nga burri apo shoqëria në asnjë segment të jetës. Ende vazhdon femra të jetë e privuar nga hisja e saj në pasurinë e babait të cilën Kurani tash e 1400 vjet më parë ia garanton. Kurban Bajrami duhet të na shërbejë si motivim shtesë për të jetësuar këtë të drejtë të tyre”, vijoi ai.