Mustafa: Kolonat në Merdarë, rezultat i moszbatimit të marrëveshjeve të Brukselit nga ana e Serbisë

Mustafa: Kolonat në Merdarë, rezultat i moszbatimit të marrëveshjeve të Brukselit nga ana e Serbisë

08 August 2019 17:06

Ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, ka thënë se kolonat në pikë-kalimin kufitar në Merdarë po vijnë si rezultat i palës serbe e cila nuk po i respekton marrëveshjet e Brukselit.

Ai gjatë një vizite në këtë pikëkalim ka thënë se, pala kosovare po punon me kapacitete të shtuara.

Sipas njoftimit, gjatë vizitës ministri Mustafa dhe drejtori i Departamentit për Kufi në Policinë e Kosovës, Shaban Guda, u njoftuan për së afërmi me sfidat me të cilat përballen zyrtarët policorë dhe zyrtarët e doganës në këtë pikë kalimi kufitar.

Ata vlerësuan mobilizimin e Policisë së Kosovës dhe Doganës së Kosovës, në këtë kohë kur ka shtim të fluksit të udhëtarëve që kalojnë në këtë pikë kalimi kufitar gjatë sezonit veror.

“Kolonat në këtë pikë-kalim kufitar vijnë si rezultat i palës serbe e cila nuk po i respekton marrëveshjet e Brukselit, ndërsa pala kosovare po punon me kapacitete të shtuara, probleme tek pala kosovare nuk ka, për një veturë pritja në pikë kontrollin e Kosovës zgjatë 3-5 minuta. Gjithashtu pala serbe ende nuk është transferuar në objektin e ri të Pikës së Përbashkët Kufitare në Merdare që është ndërtuar nga UNOPS-i”, ka thënë Mustafa.

Ai gjithashtu iu bëri apel bashkatdhetarëve që të shfrytëzojnë edhe pikat e tjera të kalimit kufitar në mes të Kosovës dhe Serbisë, si dhe potencoi se Policia e Kosovës dhe Dogana e Kosovës, janë të mobilizuara në zbatimin e detyrave dhe përgjegjësive që kanë në të gjitha pikat e kalimit kufitar me Serbinë dhe vendet tjera.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme