Arbëri

Opozita kritika pozitës për mosadresimin e rekomandimeve të Auditorit për vitin 2018

Descriptive Text

Këshilltarët komunalë kanë kritikuar qeverisjen komunale se nuk është duke zbatuar rekomandimet e Zyrës Kombëtare të Auditimit, e cila ka gjetur dobësi në perfomancën komunale në shumë fusha, të cilat kanë ndikim negativ në proceset e tjera për Gjilanin.

Këshilltarët komunalë të opozitës kanë kritikuar pushtetin komunal për numrin e madh të punësimeve me kontratë në vepër, të cilat ndikojnë edhe në performancën buxhetore, shkruan sot Koha Ditore.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka akuzuar Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) se po e shfrytëzojnë mundësinë e lidhjes së kontratave për shërbime të veçanta me qëllim të rehatimit të militantëve partiakë nëpër pozita të ndryshme brenda komunës.

Shefi i grupit të këshilltarëve komunalë nga radhët e PDK-së, Riza Abdyli, ka akuzuar Komunën se ka paraqitur rrejshëm edhe numrin e punëtorëve të cilët mbesin të suspenduar. Ai tha se vetëm 24 punëtorë janë të suspenduar për shkak të telasheve ligjore. Po ashtu tha se raporti i Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2018 është real.

Ndërkaq shefi i grupit të këshilltarëve komunalë të Lëvizjes Vetëvendosje, Nevzad Isufi, e vlerësoi si shqetësuese mungesën e vullnetit të qeverisjes komunale për zbatimin e rekomandimeve, të cilat po përsëriten nga viti në vit. Ai tha se duhet të ekzistojë një mekanizëm, i cili do të merret me zyrtarët që nuk i zbatojnë rekomandimet. Gjersa ka deklaruar se raporti i Auditorit është i rëndësishëm, ngase ka dhënë përgjigje për disa çështje.

Por nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, tha se ata kanë qenë të detyruar që të angazhojnë punëtorë me kontrata në vepër për një periudhë 6-mujore, ngase kanë probleme për të cilat kërkohet zgjidhje. Ai ka thënë se kjo është mënyra e duhur se si Komuna menaxhon me disa procese. (Artikullin e plotë mund ta lexojë në numrin e sotëm të Kohës Ditore)