Arbëri

ARKEP-i ende pa zgjidhje për shërbimet e “Z-Mobile”

Epilogu i kontratës në mes të Telekomit të Kosovës dhe “Z-Mobile” ende nuk ka përfunduar. Kjo pasi Autoriteti Rregullativ për Komunikime Elektronike dhe Postare nuk ka treguar se çfarë do të ndodhë me 300 mijë numrat që ka pasur në dispozicion kompania “Z-Mobile”.

Derisa të dyja palët pretendojnë se këta numra janë të tyre, ARKEP-i thotë se numrat janë në pronësi të shtetit, duke kërkuar të mos paragjykohen vendimet e ardhshme të këtij institucioni. Megjithatë, kryetarja e Bordit të Telekomit, Besa Shatri-Berisha, ka thënë se ARKEP-i nuk e ka rolin e interpretuesit, por vetëm të monitoruesit dhe se numrat janë të Telekomit, shkruan sot “Koha Ditore”.

Kryetari i Bordit të ARKEP-it, Kreshnik Gashi, gjatë intervistimit nga Komisioni Hetimor për PTK-në të hënën ka thënë se në takimet e ardhshme që ARKEP-i do të ketë me palët pritet të jepen më shumë sqarime.

I kritikuar nga deputetët e Komisionit, për neglizhencë dhe favorizim të “Z-Mobile”, Gashi ka mohuar një gjë të tillë, duke thënë se ARKEP-i do të veprojë vetëm në bazë të legjislacionit.

Kryetari i Komisionit Hetimor për PTK-në, Visar Ymeri, ka pyetur Gashin lidhur me pronësinë e numrave të “Z-Mobile” dhe sa e ka mundësinë që pas mosvazhdimit të kontratës me Telekomin, “Z-Mobile” t’ia shesë numrat IPKO-s.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)