Arbëri

Prodhuesit e pijeve i tremb taksa për ujë

Descriptive Text

Prishtinë, 23 shkurt - Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Ramiz Kelmendi, priti Shoqatën e prodhuesve të pijeve alkoolike dhe joalkoolike të Kosovës, të udhëhequr nga kryetari i Shoqatës, Bashkim Osmani.

Qëllimi i takimit ishte trajtimi i shqetësimeve të prodhuesve të pijeve alkoolike dhe joalkoolike në lidhje me taksat ujore për strukturën e pagesave të ujit, akcizave të lëngjeve si dhe rreth rrymës elektrike.

Zëvendëskryeministri Kelmendi i dëgjoi me shumë kujdes prodhuesit e pijeve alkoolike për shqetësimet e tyre dhe premtoi që këto shqetësime do t’i marrë me shumë seriozitet për një zgjidhje sa më të mirë.

Sa i përket akcizës, zëvendëskryeministri Kelmendi theksoi angazhimin e Ministrisë së Tregtisë dhe e Industrisë rreth çështjes së akcizës në repromateriale si dhe shfaqi përkushtimin për angazhim në adresimin sa më adekuat të çështjes së rrymës elektrike.

Përfaqësuesit e Shoqatës së Prodhuesve të pijeve alkoolike dhe joalkoolike të Kosovës e falënderuan zëvendëskryeministrin Kelmendi për mbështetjen dhe përkushtimin shumë serioz si dhe shprehën gatishmërinë e tyre për fillimin e pagesave për shfrytëzimin e ujit.