Arbëri

LDK-ja mblidhet, në kërkim të një kandidati konsensual për kryetar

Pak ditë para Kuvendit Zgjedhor të Lidhjes Demokratike të Kosovës, është mbajtur një takim i përbashkët i Këshillit Drejtues dhe Grupit Parlamentar të kësaj partie.

Pos për zgjedhjet e brendshme të 3 gushtit, në këtë takim është diskutuar edhe kërkesa e Grupit Parlamentar të LDK-së, për miratimin e disa pikave të rëndësishme në Kuvendin e Kosovës, para shpërbërjes së kësaj legjislature, raporton KTV.

Derisa takimin e quajti konsultativ, anëtari i kryesisë së LDK-së, Muharrem Svarça, deklaroi se pret që para Kuvendit zgjedhor të arrihet një marrëveshje për një kandidat konsensual për kryetar të partisë, në mënyrë që, siç tha ai, Lidhja Demokratike të dalë fituese nga zgjedhjet e reja.

Megjithatë, Svarça ka refuzuar të përmendë ndonjë emër të mundshëm si kandidat konsensual.

Ai tha se në këtë mbledhje është diskutuar edhe kërkesa e Grupit Parlamentar të kësaj partie, që para shpërbërjes së Kuvendit dhe shkuarjes në zgjedhje, të ratifikohet marrëveshja ndërkombëtare me fondet IPA, nga e cila Kosova fiton miliona euro.

Svarça theksoi se pret që zgjedhjet e reja të mbahen në fund të muajit shtator.

Ndërsa, shtoi se para zgjedhjeve të brendshme të LDK-së, do të mbahen edhe disa takime përgatitore dhe konsultative, për të garantuar që procesi i brendshëm zgjedhor të jetë i suksesshëm.