Arbëri

Ymeri: Telekomi t’i shkëpus edhe kontratat tjera abuzive, 300 mijë numrat Z-Mobile t’i kthehen kompanisë

Nënkryetari i PSD-së, njëherësh kryetar i Komisionit për hetimin e Telekomit, Visar Ymeri thotë se nuk do të vazhdohet kontrata e Telekomit me Dardafon LLC (e njohur si Z Mobile) e cila skadon nesër.

“Ky është lajm i mirë, që duhet përshëndetur. Kjo kontratë i ka shkaktuar dëme të mëdha financiare dhe ngarkesa të papërballueshme tekniko-teknologjike Telekomit të Kosovës. Përveç se është dëmtuar kompania më e suksesshme publike e Kosovës, janë dëmtuar edhe abonuesit e saj, pra qytetarët e Kosovës, shërbimet e komunikimeve elektronike, të cilët kanë pësuar një degradim të vërejtshim”, shkruan Ymeri.

Ai thotë se ky mosvazhdim kontrate, para së gjithash dhe mbi të gjitha, vjen si rezultat i këmbëngulësisë dhe punës së palodhshme të sindikalistëve të Telekomit, “të cilët vetëdijësuan opinionin për dëmet e kontratës dhe që u angazhuan drejtpërdrejt për ta mbrojtur interesin e ndërmarrjes”.

“ARKEP duhet menjëherë të vendos që 300 mijë numrat në përdorim të Z Mobile t’i kthehen kompanisë që e ka Autorizimin individual për përdorim të numeracionit, Telekomit të Kosovës në mënyrë që të shfrytëzohen nga Vala 900. Në procesin hetimor parlamentar, në të cilin bashkë me deputetët e të gjitha grupeve parlamentare jemi duke punuar intensivisht prej shkurtit, ku kemi evidentuar dëme të shumta, që i janë shkaktuar Telekomit nga kontrata abuzive, krahas dhe përveç kësaj me Z Mobile. Edhe këto jemi duke i hetuar dhe edhe këto kontrata duhen të shkëputen në mënyrë që Telekomit t’i krijohet hapësirë dhe mundësi financiare për t’u zhvilluar, ristrukturuar e konsoliduar”, tha ai.