Arbëri

Mblidhen liderët e koalicionit qeverisës, Veseli s'shkon

Ka nisur takimi në mes kryeministrit të dorëhequr Ramush Haradinaj me liderët e koalicionit, Fatmir Limaj dhe Behgjet Pacollin.

Pjesë e këtij takimi nuk është kryetari i PDK-së Kadri Veseli. Enver Hoxhaj i PDK-së është parë të hyjë në objekt, megjithatë nuk është pjesë e takimit, raporton kosovapress.

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, gjatë ditës së djeshme ka njoftuar se u ka dërguar ftesë Kadri Veselit, Fatmir Limajt e Behxhet Pacollit për të diskutuar situatën e fundit në vend, pas dorëheqjes së tij si kryeministër.

Ndër tjera, ai tha se do të flasin për “ngrohjen globale”.

Haradinaj fton në takim Veselin e Limajn, thotë se do flasin për “ngrohjen globale”

Gjatë ditës së sotme, kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj, ka pritr në takime të ndara liderë partiakë të komuniteteve joshumicë në vend.

Në orët e para të mëngjesit të sotëm, Haradinaj ka takuar deputeten e Kuvendit të Kosovës dhe kryetare e Partisë së Re Demokratike (NDS), Emilia Rexhepi, me të cilën ai tha të kenë diskutuar për zhvillimet e fundit në vend, “si dhe për shtyrjen tutje të procesit për themelimin e Komunës së Zhupës”.

Tutje, Haradinaj ka takuar edhe deputetët Veton Berisha dhe Etem Arifi, për të diskutuar, siç tha ai, për proceset dhe sfidat që i kemi përpara.

“Falë angazhimit të përbashkët konstruktiv, kemi arritur të adresojmë dhe t’iu gjejmë zgjidhje shumë temave me rëndësi për komunitetet egjiptian dhe ashkali në Kosovë”, tha Haradinaj pas takimit me deputetët Berisha e Arifi.

Në vazhdën e takimeve me liderët partiakë të komuniteteve joshumicë në vend, njëherësh deputetë të Kuvendit të Kosovës, Haradinaj priti në takim edhe Allbert Kinollin, nga Partia Rome e Bashkuar e Kosovës (PREBK), me të cilin, tha ai, “këmbyem mendime për avancimin e romëve, sidomos në aspektin e arsimimit dhe punësimit”.

Haradinaj ka pritur në takim edhe deputetin e Partisë Demokratike të Ashkanlive të Kosovës, Danush Ademi, me të cilin tha të kenë biseduar “për të arriturat në afirmimin e komunitetit ashkali, si dhe për mundësitë e angazhimit të përbashkët në të ardhmen, drejt avancimit të mirëqenies së këtij komuniteti, në të gjitha sferat e jetës”.

Ndërkaq, gjatë ditës, Haradinaj është takuar edhe me deputetët Duda Balje dhe Bahrim Shabani, me të cilët tha të ketë biseduar për projektet e përfunduara, planet zhvillimore dhe infrastrukturore në vendbanimet e komunitetit boshnjak të Kosovës, e në veçanti për rajonin e Prevallës.

“I falënderova ata për frymën konstruktive të bashkëpunimit, duke lënë të hapur çdo mundësi bashkëpunimi në shërbim të qytetarëve të vendit, posaçërisht për përfshirje adekuate të komunitetit boshnjak në institucionet e shtetit”, theksoi kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj.

Veç tyre, Haradinaj ka takuar edhe deputetët Mufera Shinik dhe Fikrim Damka nga Partia Demokratike Turke e Kosovës, me të cilët ai tha të kenë biseduar “për bashkëpunimin sa më efikas të institucioneve qendrore me komunat, me fokus komunën e Mamushës të banuar me shumicë turke”.

“Qeveria e vendit është kujdesur për të garantuar gjithëpërfshirje dhe për mbështetjen e projekteve që ngrisin mirëqenien e këtij komuniteti”, deklaroi Haradinaj.