Arbëri

Mustafa: Qeveria ime s’pati asnjë aferë korruptive - jam krenar me bashkëpunëtorët e mi

Isa Mustafa, si kryeministër i vendit, i është drejtuar deputetëve dhe qytetarëve duke mbrojtur veprimet e Qeverisë së saj duke kundërshtuar mocionin e mosbesimit të opozitës.

“Kjo qeveri nuk ka pasur asnjë rast korruptiv”, deklaroi ai.

Mustafa tha se qeveria e tij ka bërë riformatim qeveritar, duke zëvendësuar ministra të ndryshëm e zëvendësministra.

“Kjo qeveri ka trashëguar pasojat e disa parregullsive në të kaluarën, e njëra nga to është kontrata me Z-Mobile”, tha ai, duke shtuar se kjo ishte një kontratë e dëmshme për PTK-në dhe për Kosovën, raporton Koha.net.

“Dikush duhet të përgjigjet për këtë kontratë sepse pasojat e saj janë të dëmshme. Kjo çështje i takon drejtësisë dhe i apeloj drejtësisë të procedojë me këtë rast”, deklaroi ai.

“Pastaj AXOS. Ky proces ka dështuar në vitin 2013. Qeveria që unë udhëheq ka menaxhuar më së miri pasojat e kësaj marrëveshjeje të dëmshme përball një padie të padrejtë e të pabazuar. AXOS nuk ka qenë investim, por mashtrim”, u shpreh kryeministri.

“Edhe rasti i pasaportave qe një mashtrim dhe mjerisht një epilog skajshmërisht i dëmshëm për qeverinë e Kosovës. Është nisur në kohën kur ne nuk ishim në Qeveri dhe as LDK nuk ishte përgjegjëse për këtë ministri”, theksoi Mustafa.

Kreu i ekzekutivit përmendi edhe çështjen e transferimit të FSK-së në Ushtri, për të cilën tha se është proces që ka nisur dhe do të përfundojë, por jo nëse bie Qeveria.

Qeveria, sipas tij, ka marrë vendime shumë të rëndësishme në këtë mandat, duke përmendur MSA-në, marrëveshjen për demarkacion kufitar, rritjen e pensioneve dhe ndihmave sociale, përmbushjen e kritereve për liberalizim të vizave, e ka shpëtuar Trepçën nga falimentimi.

“Asnjë vendim nuk është vonuar dhe nuk është marrë pa pajtimin e partnerëve të koalicionit”, theksoi ai.

Tutje, ai kritikoi edhe punën e Kuvendit, duke thënë se asnjë seancë nuk ka filluar me kohë.

“Unë mburrem me njerëzit me të cilët kam punuar sepse janë njerëz të mirë, dhe nuk janë kriminelë. Për këtë arsye na kanë gjuajtur me vezë, me gurë e me molotov”.

“Pa marrë parasysh epilogun e këtij mocioni, ne do të dalim fitues”, përfundoi kryeministri Isa Mustafa.