Arbëri

Bjeshka bashkon bashkatdhetarët

Foto: Koha

Mësuesi në pension ka takuar nxënësin veteran të luftës pas 42 vjetësh nën tingujt e muzikës popullore. Kushërira e ka përqafuar kushërinin nën britmat e grave e burrave që po luanin “ndërmjet dy zjarreve”.

Njëri në Zvicër e tjetri në Gjermani, nuk janë takuar asnjëherë pas luftës. Nja njëzetë metra më larg, një burrë i jep zemër të birit të vogël që po mat forcat në litar me të vëllain më të madh: “Mos e lësho, mos e lësho konopin”.

“Edhe pak, edhe pak se gati fitove”, e inkurajojnë të afërmit të madhin në anën e kundërt. Të voglin e lëshojnë këmbët. Bie përtokë. “Mos ta nin se e ke lodhë derisa t’mujti”, e inkurajon babai sugarin.

Pas pak, krejt e kthejnë vëmendjen kah skena kur valltaret e vogla të ansamblit të valleve, “Kastriottët”, e luajnë shotën në hije të lisave të gjatë në lëndinën e Livadheve të kishës në fshatin Jezerc të Ferizajt, shkruan Koha Ditore.

“Një ditë në vite....”

Kënga, vallja, lojërat e ushqimet tradicionale kanë mbledhur në fundjavë qindra bashkatdhetarë nga shtete të ndryshme perëndimore, por shumë qytetarë të viseve të ndryshme të rrethinave të Ferizajt, Shtimës dhe Therandës, në atë që organizatorët e kanë quajtur dita tradicionale jezercase, “Bjeshkët e Jezercit”.

Shoqata për kulturë, traditë, trashëgimi dhe zhvillim rural, “Jezerci”, ka zgjedhur fundjavën e korrikut për ta zhvilluar tubimin e parë të jezercasve për shkak të fluksit më të madh të mërgimtarëve me prejardhje nga fshati malor që vizitojnë familjet e tyre. Dhe lëndinat e shpatijet përreth kanë vluar si asnjëherë pas luftës prej mërgimtarëve e makinave me tabela të qyteteve të ndryshme evropiane.

“Një ditë në vite, medoemos duhet të jemi bashkë!” – ka qenë thirrja që u është bërë nëpërmjet “Facebookut” të gjithë atyre që kanë dashur të dëgjojnë rapsodët, këngëtaret e muzikës popullore e moderne, pjesëmarrësit e lojërave tradicionale me kapuça, gurapesh, litar, e të tjera. Pjesë e aktiviteteve kanë qenë edhe performancat me mezhnicë, fyell e def.

Në skenë, anash portreteve të Skënderbeut, Adem Jasharit dhe dëshmorëve jezercas nga radhët e UÇK-së, për dy orë me radhë nuk ka lëvizur nga vendi veterani i uniformuar i luftës, Muhamet Kuka. Duke qëndruar pip, Kuka ka mbajtur emblemën-flamur të UÇK-së.

Hafize Nuhiu-Delolli, që jeton në Zvicër, është sfiduar me të arritur te Livadhet e kishës nga e bija e madhe, Diella (10). E ka pyetur për historinë e fotografive dhe portreteve. “Dielli më pyeste se kush janë këta në fotografi, pse i kanë vendosur”, tregon Nuhiu-Delolli, e shoqëruar me dy motrat, dy vëllezërit dhe me nipa e mbesa. “Kjo është fëmijë i diasporës dhe po do me ditë kush ka qenë Adem Jashari e Skënderbeu”, shton ajo.

Takimi emocionues me mësuesin

Afrim Avdyli, veteran i luftës, ka sjellë te Livadhet e kishës – aty ku si fëmijë kishte ruajtur lopët – nipat dhe farefisin nga Leshani i Therandës dhe nga diaspora për t’u treguar “live” se si dikur kishte luajur gurapesh apo pipidak. Por vetë është befasuar më shumë kur ka takuar pas 42 vitesh mësuesin që ia kishte mësuar shkronjat e para në shkollën e Jezercit.

“Jam takuar me mësuesin që nuk jam takuar kurrë më me të prej klasës së pestë”, thekson Avdyli. “Kemi dalë më 1977 në Leshan të Suharekës. Mësuesi nuk më njofti dhe tha: ‘Qitëm në udhë’. Kur i tregova, iu mbushën sytë me lotë”.

I janë dashur disa minuta derisa ka gjetur mësuesin Ibrahim Osmani midis turmës. “Nuk mund ta njihja pas 42 vitesh”, thekson Osmani, veteran i arsimit. Me dorën e djathtë fërkon plisin. Avdyli ia hedh dorën e majtë mbi shpatulla.

“Është shumë i mirë ky aktivitet. Unë për vete kam shumë emocione”, thekson Osmani (68), i cili kishte punuar mbi tri dekada në Jerzerc para se të shtrëngohej pas lufte të shpërngulej në qytet, ku vazhdoi punën si mësimdhënës deri në pension. “Jezerci është shpërnda. Disa për nevoja të veta, disa për shkak të luftës – si mua që ma dogjën shtëpinë – e disa edhe për nevoja të tjera pas luftës”, shton ai.

“Jem ba gati si jabanxhi në vendin tonë. Koha e ka ba të veten”, ndërhyn Avdyli.

Martesat ia lëkundën themelet Jezercit

Osmani ka qejf të kthehet goxha shumë në historinë e shekullit të kaluar të fshatit malor, që kishte pak mundësi mbijetese. Pothuajse nuk kishte shtëpi që nuk kishte kalë dhe samar për të siguruar bukën e gojës prej shitjes së druve në qytet, atëherë kur Jezerci nuk kishte rrugë të shtruara e duhej të bëheshin disa orë deri në Ferizaj.

“Para lufte, Serbia na i merrte drutë, pas lufte po na e marrin ujin”, e ndihmon Avdyli mësuesin me shpjegime.

Bashkë thonë se fshati kishte mbrojtur me fanatizëm ujdinë e pashkruar që të mos martonin fëmijët ndërmjet vete pavarësisht se kishte lagje të fiseve krejt të ndryshme. “Jezercit ia ka lëkundur themelet martesa. Pse? Sepse njerëzit nuk kanë dhanë e marr ndërmjet vete dhe janë detyruar me marr jashtë me pare. Problem ka qenë”, thekson Osmani.

“Ajo e ka shkatërruar”, shton Avdyli.

Jezerci është braktisur me të madhe pas luftës. Është fshati me numrin më të madh të dëshmorëve në komunën e Ferizajt në luftën e fundit. Aty ishte edhe shtabi i Zonës Operative të Nerodimes. Viteve të fundit kanë filluar të shtrohen rrugët e të kthehet verës gjallëria me numrin e restoranteve në ngritje dhe me shumë villa që po ndërtohen prej biznesmenëve e mërgimtarëve shpateve. Megjithatë, janë vetëm dhjetëra shtëpi që jetojnë prej zori. Dhjetëra nxënës në shkollë mësohen me klasë të kombinuara. Kujt i jepet mundësia, shpërngulet në fshatrat përgjatë brigjeve të Lumit Nerodime, apo edhe në qytet.

“Një pash jezercas”

Bashkim Reshani, ka prejardhje nga Grajqeci, jo fort larg Jezercit. Fshatrat e kësaj ane kanë miqësi të shumta. Ai ka marrë të dielën nipa e stërnipa – disa me prejardhje nga Jezerci – dhe është ngjitur nga fshati Lloshkobare i Ferizajt te Livadhet e kishës. Jeton e vepron në Hamburg. I është dukur ide e qëlluar tubimi. Organizatorët synojnë ta kthejnë në festë të përvitshme tradicionale. Bashkatdhetarët kanë shijuar flija eushqime të tjera tradicionale.

Valon Rrahmani, përgjegjës i valleve në ansamblin “Kastriotët”, është, sikur se thotë ai, “një pash jezercas”. Është nip Jezerci. Për tetë minuta ka shikuar valltaret e tij të vogla derisa kanë luajtur në skenë. “Mirë shumë ka qenë. Qysh ka qenë hera e parë, shumë mirë ka shkuar”, thekson Rrahmani.

Pas tri orësh me këngë, valle, lojëra e ushqime tradicionale, jezercasit “me rrënjë” janë lëshuar teposhtë rrugës gjarpëruese. Shumica e makinave – sidomos ato me targa perëndimore – janë ndalur nëpër parkingjet e restoranteve të reja shpateve. Nëpër tarraca janë cakërruar gotat – me shpresë se edhe vitin tjetër “një ditë do të jemi bashkë”.