Haradinaj pas aksidentit në Rahovec bën thirrje për kujdes në trafik Foto nga aksidenti me fatalitet në Rahovec

Pacolli pas aksidentit në Bërnjak bën thirrje për kujdes në komunikacion

26 July 2019 19:07
20:11

Zëvendëskryeministri i Kosovës në largim, Behgjet Pacolli ka thënë se me tronditje ka marrë lajmin për aksidentin në trafik që ndodhi në rrethinën e Rahovecit, ku humbën jetën tre qytetarë.

Ai në një postim në Facebook ka shkruar se është e pafalshme humbja e jetës së qytetarëve.

“Me tronditje mora lajmin për aksidentin në trafik që ndodhi pak më parë në rrethinën e Rahovecit, ku humbën jetën tre qytetarë. Ngushëllime nga thellësia e shpirtit për familjarët ndërsa i lus qytetarët për kujdes në komunikacion. Është e pafalshme humbja e jetës së njerëzve. Të lënduarve u dëshiroj shërim sa më të shpejtë”, ka shkruar Pacolli në Facebook.

19:59

Hoti kërkon të shpallet ditë zie në Rahovec

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka kërkuar që të shpallet ditë zie pas vdekjes së tre personave në aksidentin në Bërnjak të Rahovecit.

Ai në Facebook ka shkruar se ky është një rast tragjik për të gjithë qytetarët e Rahovecit.

“Ndjej keqardhje të thellë për të aksidentuarit dhe familjet e tyre në aksidentin që ndodhi sot në Bernjake të Rahovecit. Është ky një rast tragjik për të gjithë qytetarët e Rahovecit”, thotë ai.

Hoti beson se Komuna e Rahovecit do të konsiderojë shpalljen e një dite zie, për të treguar se të gjithë bashkëndjejnë me familjet e të aksidentuarve.

Sipas tij, kujdesi në trafik duhet të jetë maksimal.

“Raste si ky na tregojnë sa i rëndësishëm është ky kujdes. Policia duhet të jetë shumë strikte në këtë aspekt, sepse kursen jetë njerëzish”, thotë ai.

19:28

Latifi: I tronditur pas aksidentit në Bërnjak, qytetarët të kenë kujdes në komunikacion

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, është shprehur i tronditur pas aksidentit në fshatin Bërnjak ku humben jetën tre persona ndërkaq tre të tjerë u lënduan.

Ai thotë se me të marrë lajmin ka dalë në vendin e ngjarjes për të kuptuar se çfarë ka ndodhur.

“Dua t’i ngushëllojë sinqerisht familjarët e viktimave, ndërsa të lënduarve ju uroj shërim të shpejtë”, shkruan Latifi në Facebook.

Ai tutje ka lutur qytetarët që të kenë shumë kujdes në komunikacion, sidomos tani që është rritur fluksi i automjeteve në rrugë.

19:07

Haradinaj pas aksidentit në Rahovec bën thirrje për kujdes në trafik

Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas aksidentit në fshatin Bernjak të Rahovecit ku humben jetën tre përsona.

Ai përmes një postimi në Facebook, është shprehur i shqetësuar për aksidentet në komunikacion të cilat kanë për pasojë jetët e njerëzve.

“I shqetësuar nga lajmet për aksidentet e shpeshta në komunikacion me pasojë jetët njerëzore. Familjarëve të viktimave në Bërnjak të Rahovecit iu shpreh ngushëllime të thella, kurse të lënduarve shërim të shpejtë”, shkruan ai.

Ai tutje ka apeluar të gjithë qytetarët që ta shtojnë kujdesin në trafik, ndërkaq ka kërkuar nga Policia e Kosovës të rris kontrollin, veçanërisht tani gjatë sezonit verore, kur është një komunikacion më i ngarkuar.

Lexo edhe: Vdes edhe personi i tretë nga aksidenti në Rahovec

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme