Arbëri

Haradinaj në takim përshëndetës me ambasadorin e Francës, Didier Chabert

Descriptive Text

Ramush Haradinaj i cili dha dorëheqje nga posti i kryeministrit, por vazhdon të shkojë në zyrën e Kryeministrisë, priti sot në një takim përshëndetës ambasadorin e Francës në Kosovë, Didier Chabert.

Me këtë rast Haradinaj falënderoi ambasadorin Chabert për ndihmën e vazhdueshme që Franca i ka dhënë vendit tonë në të gjitha periudhat e shtetndërtimit dhe konsolidimit të institucioneve demokratike, duke theksuar se në këtë fazë të rëndësishme të konsolidimit ndërkombëtar të vendit, partneriteti i shtetit mik vazhdon të jetë i nevojshëm.

Ai në takim ka përmendur rëndësinë e liberalizimit të vizave dhe mbështetjen e Francës në këtë proces.

“Kosova është palë serioze për partneritet dhe se me lëvizjen e lirë, vendet evropiane fitojnë më shumë mundësi. Kosova i plotëson kushtet dhe Franca është partneri kryesor drejt përgjigjes finale për lëvizje të lirë”, tha Haradinaj, duke shtuar se rruga euro-atlantike e vendit do të bëhet përkrah me aleatët tanë dhe Franca është aleate e vendit tonë.

Ambasadori Chabert, falënderoi Haradinajn për pritjen dhe bashkëpunimin e deritashëm dhe partneritetin e treguar në gjithë etapat e marrëdhënieve bilaterale Kosovë- Francë.