Arbëri

Politika, ky profesion fitimprurës

Më shumë se 820.000 euro i është shtuar pasuria Ramush Haradinajt gjatë kohës sa ka ushtruar detyrën e kryeministrit të Kosovës.

Kështu së paku del nga të dhënat që u bënë publike përmes platformës për krahasimin e pasurisë së zyrtarëve të lartë, të lansuar nga Lëvizja FOL të enjten. Sipas këtyre të dhënave, në vitin 2017 Haradinaj kishte të deklaruar 1 milion e 44 mijë e 206 euro. Ndërsa në vitin 2019 pasuria e tij e deklaruar është 1 milion e 864 mijë e 817 euro.

Platforma e lansuar nga FOL ofron krahasimin e pasurisë për afro 500 zyrtarë publikë. Ajo është e qasshme në: http://www.deklarimi.org/

Gjatë prezantimit, përfaqësuesit e Lëvizjes FOL treguan se bazuar në të dhënat e deklaruara, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tani ka më pak pasuri se që kishte para dhjetë vjetësh. Në vitin 2010, Thaçi kishte deklaruar 892 mijë e 827 euro pasuri. Në vitin 2019, pasuria e tij e deklaruar është 708 mijë e 126 euro. Por tani Thaçi ka gati 200 mijë euro më shumë pasuri krahasuar me vitin e kaluar, kur kishte deklaruar 511 mijë e 191 euro, shkruan sot Koha Ditore.

Bazuar në këto shënime, shumica e zyrtarëve të lartë të shtetit kanë arritur të shtojnë pasurinë e tyre gjatë kohës sa kanë qenë në pushtet, në shumë raste me qindra mijëra euro. Në disa raste pasuria është reduktuar. Por, bazuar në të dhënat e deklaruara të zyrtarëve të shtetit, politika del të jetë një profesion tejet fitimprurës. Shumica e zyrtarëve të listuar në platformë kanë të deklaruar pasuri të mëdha.

Drejtoresha e Lëvizjes FOL, Mexhide Demolli, gjatë prezantimit të kësaj platforme ka thënë se rreth 500 zyrtarë janë përfshirë në këtë platformë, ndërsa janë ndarë në kategori duke filluar nga krerët e shtetit. “Me këtë platformë mund të bëhet krahasimi i zyrtarëve nga 2010-2019. Janë tri legjislaturat e fundit të Kuvendit dhe mund të bëhen krahasime mes legjislaturave. Përveç deputetëve, mundësia e krahasimit është edhe e Qeverisë. Kemi Qeverinë Thaçi 2, Qeverinë Mustafa dhe Qeverinë Haradinaj. Janë edhe të gjithë kryetarët e komunave. Në ballinë kemi paraqitur dhjetë zyrtarët më të pasur, ku hyjnë: presidenti, kryeministri, zëvendëskryeministri”, ka thënë Demolli.

Ajo ka deklaruar se në këtë platformë është risi se janë përzgjedhur dhjetë zyrtarët me burime më të shumta të të ardhurave.“ Risi në këtë platformë kemi dhjetë zyrtarët me burimet më të shumta të të ardhurave. Për të gjithë zyrtarët publikë që ushtrojnë edhe poste brenda partive është numër i vogël i tyre që deklarojnë që marrin pagë nga partia”, ka thënë ajo.


Në ndërkohë, Lëvizja FOL dje ka njoftuar se gabimisht, në mesin e tyre ka përfshirë edhe Hajredin Kuçi.

“Lëvizja FOL ju njofton se për shkak të një gabimi algoritmik dhe teknik në Platformën e Krahasimit të pasurisë ka ndodh që Hajredin Kuçi ish zëvëndëskryeministër të figuron edhe në mesin e 10 zyrtarëve më të pasur. Pas rregullimit të këtij problemi teknik Kuçi largohet nga kjo listë e 10 zyrtarëve më të pasur dhe pasuria e deklaruar e z. Kuçi ndër vite është e njëjta me deklarimin AKK. Kërkojmë falje për gabimet eventuale që mund të ndodhin për shkak të sistemit duke ju siguruar se FOL nuk ka tendencë ndaj asnjë zyrtari publik”, thuhet në reagimin e tyre.