Arbëri

Isufi i quan të ulëta deklaratat se Haradinaj e shfrytëzoi Hagën për poenë politikë

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi, i ka quajtur të ulëta deklaratat në skenën politike se Ramush Haradinaj shfrytëzoi ftesën nga Gjykata Speciale për të përfituar poenë politikë për vete.

Haradinaj dha dorëheqje javën e shkuar nga pozita e kryeministrit për të pranuar ftesën për t’u intervistuar në Hagë nga Specialja dhe kjo nga disa akterë politikë u pa si shfrytëzim i rastit për të përfituar për vete.

“Mua më ka befasuar një gjë. Para se të jemi politikanë, njerëz në institucione, në parti, jemi njerëz. Nëse mungon njerëzorja, ajo është tmerr. Kam parë deklarata të momentit të nxitura nga pasionet për pushtet e politikë që janë shumë të ulëta. Nuk i shërbejnë askujt. Përkundrazi mendoj se kurdo që dikush ftohet, në emër të luftës për liri duhet pasur kujdes. Ne kemi të bëjmë me një personalitet që ka shkrirë edhe familjen për liri, e njerëzit me deklarata të pamatura i kanë bërë së pari dëm vetes sepse nuk lejohet për interesa politike të fyhet ndjenja e lirisë apo ideali i dikujt. Jam befasuar nga ana e tyre”, ka thënë Isufi në Interaktiv të KTV-së.

Isufi ka thënë se në AAK ishin habitur me ftesën që ka marrë Haradinaj duke marrë parasysh se ai kishte dalë dy herë i pafajshëm nga drejtësia ndërkombëtare. Dorëheqjen e Haradinajt për të shkuar si qytetar i thjeshtë, Isufi e ka quajtur “shembull të një burrështetasi”.

Ai ka thënë se deri në zgjedhjet e reja, Haradinaj do të vazhdojë punën, “por jo me rolin e kryeministrit siç ishte”. “Ka mundësi që Haradinaj të marrë vendime, por që nuk ndikojnë në masën sikur në rolin e kryeministrit të padorëhequr”, ka thënë ai.

Isufi ka thënë se AAK-ja kërkon zgjedhje të reja dhe se pret nga presidenti Hashim Thaçi që të ftojë përfaqësuesit e partive për të përcaktuar datën e re.