Arbëri

QKUK-ja njofton se është kryer një operacion në segmentin e pasmë të syrit, me aparaturë të re

Pas furnizimit me pajisje të reja, Klinika e Oftalmologjisë (Syve) ka filluar të kryejë operacione, për të cilat më parë pacientët ishin referuar për trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore.

Përmes një kumtese për media, thonë se në këtë klinikë është realizuar operacioni i viterektomisë (operacion në segmentin e pasmë të syrit), për të cilin operacion pacientët ishin detyruar të paguanin deri në 5 mijë euro jashtë institucioneve publike shëndetësore.

“Pacienti F.K (1944) gëzon shëndet të mirë të syrit, pas operacionit që zgjati një orë e gjysmë, të realizuar nga stafi mjekësor i Klinikës së Syve. Në mungesë të aparaturës adekuate, deri më tani, për këtë patologji vetëm këtë vit, 200 pacientë ishin referuar për trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore”, thuhet në njoftim.

Tutje QKUK-ja njofton se tash e tutje, ky lloj i operacionit do të ofrohet në Klinikën e Syve dhe pacientët nuk kanë nevojë të drejtohen jashtë institucioneve publike shëndetësore.