Arbëri

Kosnett në inicimin e bustit për Bob Dolen: Miqësia Kosovë - SHBA nuk varet nga një person

Një tjetër figurë e rëndësishme amerikane do të bëhet me bust në Prishtinë.

Në ditëlindjen e 96 të senatorit Bob Dole është iniciuar ngritja e përmendores për nder të kontributit të tij për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Për këtë, Qeveria ka marrë leje nga senatori amerikan, i cili ka falënderuar Kosovën për nderimin që i bën atij.

Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj, ka uruar që miqësia Kosovë-SHBA të jetë e përhershme, derisa ka kujtuar kohën e vizitës së Bob Dole-it në Kosovë.

Një mesash të shkurtër pati edhe vetë senatori amerikan, i cili ka falënderuar kosovarët për atë që e ka quajtur nder të madh.

“Dua t’i falënderoj miqtë e mi në Kosovë që më nderojnë me ngritjen e bustit në emrin tim. Faleminderit shumë! Jam shumë krenar për popullin e Kosovës, me të cilët kemi punuar për rreth 25 vjet”

Krah Haradinajt, në këtë ngjarje ishte edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, e i cili kishte edhe mesazhe të qarta.

Ai tha se qeveritë e të dyja shteteve mund të mos pajtohen gjithmonë, porse është parë që miqësia e popullit të Kosovës dhe atij amerikan, nuk varet nga ndonjë parti politike apo udhëheqës individual.

E derisa busti i senatorit Bob Dole do të jetë fare afër me atë të presidenti Bill Clinton, dy kundërshtarë të dikurshëm politikë, Kosnett ka thënë se duhet të ndiqet rruga e tyre.

“Sot jemi në këtë këndin e rrugëve ‘Bob Doll’ dhe bulevardin ‘Bill Clinton’ rrugë këto të emërtuara për nder të dy burrave nga parti të ndryshme politike që për një kohë të gjatë kanë qenë rivalë politikë. Pavarësisht dallimeve të tyre në politike, ata arritën të bëheshin miq të mirë që kishin të përbashkët dashurinë për vendin, si dhe përkushtimin për shërbim ndaj vendit dhe bashkëpunuan kurdoherë që mundën. Të gjithëve do të na bënte mirë ta përqafonim filozofinë e Bob Dole-it që në politikë kemi kundërshtarë e jo armiq”, ka thënë Kosnett.

Pas kësaj ngjarjeje, kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj, nuk ka dashur të deklarohet për media duke u larguar nga aty i rrethuar nga sigurimi i afërt.