Arbëri

Zgjedhjet mund të organizohen pa anëtarët e PAN-it në KQZ, por analistët për këtë shohin probleme

Zgjedhjet e jashtëzakonshme, pritet ta gjejnë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve pa dy anëtarët e koalicionit PDK-AAK-NISMA.

Kjo pasi ata ende nuk janë emëruar nga presidenti Hashim Thaçi.

Derisa opozita dhe njohësit e çështjeve politike, nuk janë duke e parë si problematik funksionimin e KQZ-së pa anëtarët e koalicionit PAN, këta të fundit thonë se besimi në Komisionin Zgjedhor do të zbehej nëse zgjedhjet do të organizoheshin pa u emëruar anëtarët.

Anëtari i KQZ-së nga Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka thënë se KQZ-ja ka kuorum për organizimin e zgjedhjeve, ndërsa ka shtuar se do të ishte mirë që përbërja e saj të ishte e plotë.

Me të njëjtën gjë pajtohet edhe Ramush Tahiri, por, sipas tij, nëse zgjedhjet organizohen pa anëtarët e PAN-it, atëherë mund të ketë edhe probleme.

Ish-anëtari i KQZ-së nga PDK-ja, Betim Gjoshi, në një përgjigje me shkrim, ka thënë se është e domosdoshme që emërimi i anëtarëve të bëhet para zgjedhjeve.

“KQZ-ja, si organ kushtetues, për organizimin e zgjedhjeve, për të ofruar transparencën e nevojshme dhe garën e barabartë për të gjitha palët, duhet të jetë në përbërje të plotë, siç e parasheh edhe Kushtetuta, në të kundërtën do të ishte i zbehtë besimi në të. Është goxha e domosdoshme që të emërohen para zgjedhjeve me qëllim të rritjes së besimit në proces, presim nga presidenti që ta kompletojë KQZ-në”, ka thënë Gjoshi.

Në anën tjetër, të gatshëm për organizimin e zgjedhjeve kurdo që caktohen ato, është Komisioni Qendror Zgjedhor.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të përmbushë detyrat që dalin sipas Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi. KQZ-ja fillon me përgatitjen intensive të një procesi zgjedhor vetëm pasi të shpallet ai”, ka thënë zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

“Kohavisioni” ka pyetur edhe Zyrën e presidentit se kur do të kompletohet përbërja e Komisionit Qendror Zgjedhor, mirëpo gjatë ditës, nuk ka marrë përgjigje.