Arbëri

Lumezi thotë vështirë se do të formohet Tribunali Ndërkombëtar

Descriptive Text

Formimi i Tribunalit Ndërkombëtar për hetimin dhe gjykimin e krimeve serbe në Kosovë, 20 vjet pas përfundim të luftës, po konsiderohet si i vështirë për Kryeprokurorin e Shtetit, Aleksandër Lumezi.

Lumezi në një intervistë për Ekonomia Online tha se nuk beson në krijimin e një Tribunali Ndërkombëtar, ide kjo e kreut të Kuvendit Kadri Veseli, që do të dënojë gjenocidin serb. Krejt kjo sipas tij, ngase ka ekzistuar një gjykatë, ajo e Hagës, që është marrë me këtë krime. Ai thotë se do të ishte më mirë që të forcohet institucioni i Prokurorit të Shtetit, por edhe institucionet e tjera.

“Mendoj që ka me qenë shumë vështirë të formohet një Gjykatë Ndërkombëtare për krimet e luftës të cilat kanë ndodhur në Kosovë sepse veç e kemi pas një Gjykatë Ndërkombëtare e cila ka funksioni dhe mendoj që ndoshta kishte me qenë më mirë që të forcohet institucioni i prokurorit të shtetit, por gjithashtu edhe institucionet tjera si Policia, Departamenti që merret me krimet e luftës, njësiti për krimet e luftës dhe që të kemi bashkëpunim ndërkombëtarë ndoshta edhe me shtetet e rajonit mund të na japin edhe prova edhe deklaratat e dëshmitarëve të cilët janë në ato shtete, por edhe të na ndihmojnë në arrestimin e personave të dyshuar dhe mendoj që me forcimin e Prokurorisë Speciale të Kosovës, mund të kemi efikasitet në zgjedhjen e këtyre rasteve të krimeve të luftës”, tha ai.

Lumezi thotë se Prokuroria e Shtetit po punon në ndjekjen dhe hetimin e atyre të cilët kanë kryer krime. Sipas Lumezit, për të rënë në gjurmët e këtyre personave, Prokurorisë së Kosovës i duhet edhe ndihma e shteteve të tjera.

“Ne e kemi departamentin për krimet e luftës i cili funksionon në kuadër të Prokurorisë Speciale dhe aty i kemi 3 prokurorë, ata çdo ditë punojnë me lëndë, nxjerrin aktvendime për fillimin e hetimeve, bëjnë kërkesa të ndryshme të Policisë së Kosovës për grumbullimin e informacioneve të cilat janë të nevojshme për fillimin e procedurës penale dhe ngrisin akte akuzuese”, tha tutje.

Ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, ku përfshihet edhe gjykimi në mungesë, ai shprehet i bindur se do të ketë rezultate në këtë drejtim.

Pos me krimet e luftës, Lumezi thotë se po merren edhe hetimin e rasteve të nivelit të larët të korrupsionit. Sipas tij këto raste nuk janë duke u zgjatur për shkak të neglizhencës së prokurorëve, por për shkak të gjykatave, pasi që sipas tij, ato lëvizin nga një instancë në instancën tjetër.

Ai thotë se kanë shënjestruar 52 raste, por që pranon se janë komplekse dhe duhet kohë për të siguruar provat e mjaftueshme.

“Ka pasur raste të mëdha që i kemi shënjestruar, ne u kemi shku edhe rasteve më të rënda të cilat kanë ndodhë në Kosovë, i kemi gjithsej 52 raste të shënjestruara, mirëpo ato lëndë janë lëndë komplekse dhe për të cilat duhet kohë e mjaftueshme nga ana e prokurorëve për të siguruar prova të mjaftueshme të cilat e vërtetojnë dyshimin e bazuar se personat konkret kanë kryer vepra penale me qëllim që të u ngritet aktakuza apo të pushohen hetimet, është e vërtetë që këto lëndë janë duke u stërzgjatur, por nuk janë duke u stërzgjatur për shkak të neglizhencës së prokurorëve”, tha Lumezi.

Lumezi në fund tha se nëse ekzistojnë prova edhe për krerët e shtetit ata detyrohen të fillojnë hetimet ndaj atyre personave që kanë përgjegjësi penale.