Arbëri

MF ndihmon reformimin e transportit publik edhe në gjashtë komuna

Descriptive Text

Ministri i Financave Avdullah Hoti përmes një letre dërguar gjashtë kryetarëve të Komunave ka shprehur gatishmërinë e Ministrisë së Financave për të mbështetur Komunën e Prizrenit, Komunën e Ferizajt, Komunën e Mitrovicës, Komunën e Gjakovës, Komunën e Gjilanit si dhe Komunën e Pejës për projektin për reformimin e transportit publik, njofton kumtesa ministrore, transmeton koha.net.

Ai bënë të ditur se përzgjedhja e këtyre komunave është bërë duke marrë për bazë numrin e popullsisë dhe duke pasur parasysh nevojën që mund të kenë në reformimin e transportit publik.

“Pas arritjes me sukses të marrëveshjes së garancisë dhe fillimit të të njëjtit projekt për Komunën e Prishtinës, në vazhdën e bashkëpunimit të shkëlqyer që kemi pasur me BERZH-in, po ju njoftoj për fillimin e bisedimeve me përfaqësuesit e kësaj banke për projekte të mundshme edhe për komunat tjera, respektivisht Komunën e Prizrenit, Ferizajt, Pejës, Gjakovës, Mitrovicës dhe Gjilanit”, ka thënë Hoti.

Ai përmes kësaj letre ka ftuar 6 kryetarët e Komunave që pas koordinimit me BERZH, të caktojmë takime informuese rreth projekteve të mundshme, të cilat do të shërbenin kryesisht për të informuar përfaqësuesit e Ministrisë së Financave dhe të BERZH-it për situatën e transportit publik në këto komuna, respektivisht.

“Kërkesa që kemi pranuar nga BERZH rreth kompletimit të informatave është parashtruar një formë pyetësori që do ta mundësonte një përshkrim më të detajueshëm të situatës”, ka thënë Hoti.

Në fund të kësaj letre të ministrit Avdullah Hoti drejtuar kryetarit të Komunës së Prizrenit Ramadan Muja, kryetarit të Komunës së Ferizajt Muharrem Svarqa, kryetarit të Komunës së Mitrovicës Agim Bahtiri, kryetares së Komunës së Gjakovës Mimoza Kusari-Lila, kryetarit të Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, si dhe kryetarit të Komunës së Pejës Gazmend Muhaxheri, ka theksuar se “duke vlerësuar nevojat e komunave dhe situatën në terren mund të lëviznim drejt definimit dhe detajizimit të projekteve në bashkëpunim të ngushtë me BERZH-in dhe ekipet e tyre që kanë ndihmuar Ministrinë e Financave dhe Komunën e Prishtinës në përgatitjen dhe tani implementimin e Projektit për Reformimin e Transportit Publik në Prishtinë”.