Haradinaj: Taksa është shtet – s’hiqet pa na njohur Serbia Foto: Ramush Haradinaj / FB

Haradinaj: Taksa është shtet – s’hiqet pa na njohur Serbia

17 July 2019 20:20

Dega e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Vushtrri ka mbajtur Kuvendin e tetë zgjedhor, ku me këtë rast ka zgjedhur kryetarin dhe Këshillin e ri drejtues.

I pranishëm në këtë Kuvend Zgjedhor ishte edhe kryetari i AAK-së, njëherësh kryeministër i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Ai me këtë rast uroi të pranishmit në këtë kuvend zgjedhor duke thënë se nga ky takim të gjithë dalin fitues.

Haradinaj nuk ka lënë pa përmendur vendosjen e taksës ndaj mallrave serbe dhe dialogun me Serbinë.

Sipas tij, guxim ka qenë edhe formimi i ushtrisë edhe vendosja e taksës ndaj Serbisë edhe parandalimi i ndarjes së Kosovës.

“Krijimi i ushtrisë së Kosovës ka qenë i guximshëm. Guxim ka qenë për t’i thënë stop kur janë mobilizuar për të ndarë Kosovën. Guxim ka qenë kalimi i ligjit për Trepçën në Qeveri dhe Parlament. Guxim është t’i thuhet sot Serbisë që s’mund të na e rrezikosh ekzistencën tonë. Taksa është shtet, nëse s’mund ta mbash taksën deri në njohje, nuk do të marrim njohjen reciproke të dy shteteve. Është komponentë e shtet-bërjes, nuk është votë”, tha Haradinaj, raporton Kosovapress.

Ndërsa Nehat Maxhuni, kryetar i porsazgjedhur i kësaj dege pa asnjë kundërkandidat, falënderoi të pranishmit për besimin e dhënë për ta udhëhequr Degën e AAK-së në Vushtrri.

Në këtë Kuvend Zgjedhor ishin të pranishëm 117 nga 130 delegatë, të cilët parashihen me statut.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme