Arbëri

Kosnetti reagon ndaj dëmtimit të varrezave ortodokse në Lipjan

Descriptive Text

Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, reagoi të martën ndaj dëmtimit të varrezave ortodokse në Lipjan, duke kërkuar reagimin e shpejt të drejtësisë.

“Si po i përgjigjet Kosova dëmtimit të turpshëm të varrezave në Lipjan? Ushtrimi i sigurt i lirisë së besimit, kërkon respekt ndërmjet komuniteteve dhe veprim të shpejtë të drejtësisë”, ka shkruar Kosnett në Twitter, përderisa ka folur për fillimin e takimit Ministerial për Liritë Fetare në Washington, shkruan rel.

Në këtë takim, ku diskutohet për liritë fetare, po marrin pjesë rreth 1 mijë përfaqësues nga e gjithë bota, përfshirë Kosovën.

Më 14 korrik, Policia e Kosovës njoftoi se është duke kryer hetime pas njoftimeve se “janë dëmtuar disa gurë të varrezave ortodokse serbe” në komunën e Lipjanit.

Kryetari i komunës së Graçanicës, Sërgjan Popoviq, tha se ky incident “është shenjë se serbët nuk janë të dëshirueshëm në komunën e Lipjanit”.

Të martën, Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, përmes një komunikate, ka dënuar ashpër dëmtimin e varrezave ortodokse serbe në komunën e Lipjanit, duke thënë se “incidenti në fjalë është kundër interesave të Kosovës dhe se autoritet do të bëjnë të pamundurën që raste të këtilla të mos përsëriten”.