Arbëri

Kreu i AKA-s thotë se mosakreditimi i tri universiteteve publike është i ligjshëm

Të padrejtë e kanë cilësuar vendimin për mosakreditim zyrtarët e Universitetit në Mitrovicë.

Sipas vendimit të Agjencisë së Akreditimit, këtu në tetor nuk do të mund të regjistrohen studentë të rinj, por studimet i vazhdojnë ata që tashmë janë pjesë e Universitetit “Isa Boletini”, raporton KTV.

Zyrtarë të këtij institucioni kanë thënë se ata i kanë përmbushur kushtet e nevojshme për akreditim.

E studentët e kanë quajtur veprim tendencioz mosakreditimin e Universitetit “Isa Boletini”.

Por, nënkryetari i komunës së Mitrovicës, Faruk Mujka, thotë se mosakreditimi i Universitetit të qytetit, është pasojë e qeverisjes së dobët në vend.

Ministria e Arsimit po e konsideron të jashtëligjshëm vendimin e Agjencisë së Akreditimit, sepse, sipas saj, ai është marrë para datës 22 korrik dhe këtë nuk ka guxuar ta bëjë, meqë Agjencia Kundër Korrupsion ka kërkuar sqarim për përbërjen e bordit dhe konfliktit të mundshëm të interesit.

Por, kryetari i bordit, Gazmend Luboteni, ka thënë se Dukagjin Zeka e Rozafa Koliqi për të cilët ka kërkuar sqarim AKK-ja, nuk kanë votuar në mbledhjen e së hënës dhe vendimi është marrë me votat e 6 anëtarëve, 3 vendorëve dhe 3 ndërkombëtarëve.

Luboteni ka shtuar se mosakreditimi nuk do të thotë mbyllje e tërësishme e universiteteve pasi ata kanë mundësinë edhe të ankesës.

Sipas tij, ato mund të mbyllen në rast se nuk e kalojnë akreditimin as vitin tjetër.