Arbëri

Vdiq themeluesi i kirurgjisë vaskulare në Kosovë, Gazmend Shaqiri

Descriptive Text

Ka vdekur në moshën 83 vjeçare, kirurgu i njohur kosovar Gazmend Shaqiri.

Lajmin për vdekjen e tij e ka bërë me dije Hajriz Rudari, drejtor i Klinikës së Kirurgjisë Vaskulare.

“Të nderuar kolegë, me dhimbje të thellë ju njoftoj se sot me datë 15 Korrik 2019, pas një sëmundjeje të rëndë, ndërroi jetë Profesori ynë i nderuar dhe themeluesi i Klinikës së Kirurgjisë Vaskulare, në Republikën e Kosovës Prof. Dr. Gazmend Shaqri”, ka thënë ai, raporton Koha.net.

“Në emrin tim personal, të kolegëve dhe gjithë stafit të Klinikës së Kirurgjisë Vaskulare më lejoni të ju shpreh ngushëllimet e mija, familjes, kolegëve dhe mbar popullit të Kosovës! I përjetshëm qoftë kujtimi për Profesorin e nderuar!”, ka shkruar më tej.

Kirurgu i njohur prof. Dr. Gazmend Shaqiri u lind më 1936 në Shkodër, bir i njëri prej luftëtarëve të shquar në luftën anti-fashiste, Ismet Shaqiri. Shkollën fillore dhe gjimnazin e kreu në Prishtinë, ndërsa Fakultetin e Mjekësisë në Beograd. Specializoi për kirurgjinë e përgjithshme në Akademinë Ushtarake në Beograd, më 1969, ndërsa për kirurgji kardiovaskulare në UKECH në Pragë dhe më vonë në Texas (Heart Institute në Heuston).

Shaqiri është themelues i kururgjisë vaskulare në Kosovë. Me hapjen e Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë, u zgjodh ligjërues (1969), pastaj ishte prodekan dhe dekan i këtij fakulteti. Mbrojti doktoraturën nga lëmi i kirurgjisë së enëve të gjakut më 1974 dhe më pas mori edhe tituj shkencorë. Më 1983 u bë profesor ordinar i lëndës së Kirurgjisë në Universitetin e Prishtinës.

Një kohë udhëhoqi Klinikën e Kirurgjisë dhe të Ortopedisë në Prishtinë.

Një kohë punoi në Pragë. Pas luftës së fundit në Kosovë, udhëhoqi Shërbimin e Kirurgjisë Vaskulare. Qe mësimdhënës i shumë kuadrove dhe kreu me sukses një numër të madh të operacioneve të ndërlikuara kirurgjike.

Ka botuar rreth 200 punime shkencore dhe mori pjesë në shumë tubime e tribuna shkencore në vend dhe jashtë. Botoi disa libra dhe monografi nga lëmi i kirurgjisë vaskulare dhe asaj të përgjithshme, si: “Sëmundjet e arterieve”, “Kirurgjia e zemrës dhe aortës”, “Doracak medicinal në praktikën ditore”, “Kirurgjia urgjente – lëndimet”, “Kirurgjia urgjente – sëmundjet akute”, “Monografia e ndërhyrjeve emergjente”, e të tjera.