Raportimi i ministrit Tahiri për noterët shkakton përplasje në Komision

Raportimi i ministrit Tahiri për noterët shkakton përplasje në Komision

Saranda Ramaj Saranda Ramaj 15 July 2019 13:02

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri është duke raportuar në Komisionin për Legjislacion.

Kryetarja e këtij komisioni, deputetja e VV-së, Albulena Haxhiu ka kërkuar nga Tahiri sqarime në disa pika.

Sipas Tahirit, procesi i testimit të noterëve ka qenë një nga proceset me transparente në vend. Pas hapjes se procesit të rekrutimit do të rekrutohen rreth 50 noterë në nivel vendi.

Deputetja Haxhiu ka kërkuar nga ministri Tahiri emrat e anëtarëve të komisionit dhe zëvendësve të tyre për përzgjedhjen e noterëve të rinj. Haxhiu i ka kërkuar Tahirit përgjigje për atë nëse ka qenë ligjore që anëtarët e komisionit Nehat Idrizi, Merita Kostanica e Elbasan Dervishaj t’i hartojnë testet të cilat i kanë kaluar familjarët e tyre ose miqtë e tyre, raporton Koha Ditore.

Me tone të ashpra, për këtë çështje janë duke debatuar Haxhiu edhe Tahiri.

Ministri e ka cilësuar të painformuar.

“Ju nuk po i dini shumë sende. Keni telashe shumë të mëdha ta kuptoni procesin”, ka thënë ai.

Edhe deputeti i PSD-së, Frashër Krasniqi ka kërkuar sqarime se si rreth 60 emra janë të lidhura me politikën.

Ministri Tahiri ka thënë se një gjë e tillë nuk është e vërtetë.

“Nëse i referoheni listës që e ka publikuar ‘Koha Ditore’ nuk janë të gjithë të lidhur me PDK-në”, ka thënë Tahiri. Ministri ka thënë se “ndjen keqardhje që në atë listë ka edhe emra profesorësh”.

Deputetja Haxhiu ka kërkuar sqarime se ‘sa eksperiencë pune ka pasur gruaja e Ramiz Lladrovcit pasi që ligji kërkon 3 vjet përvojë pune’. Ka thënë se është një kandidate që ka punuar vetëm si infermiere e ka kaluar këtë tekst.

Në pjesën e parë që ka zgjatur rreth një orë e gjysmë, Tahiri ka raportuar për administratën e sistemit të Drejtësisë dhe kërkesat e Sindikatës së Shërbimit Korrektues që lidhen me Ligjin e Pagave. Tahiri ka thënë se shpreson se Avokati i Popullit do ta dërgojë tek Gjykata Kushtetuese sepse gjyqësori është diskriminuar me këtë ligj.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme