Arbëri

Kurti: Z-Mobile është rrëmbyese e vlerës dhe e pasurisë së ekonomisë në Kosovë

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, thotë se asnjë vendim nuk është marrë edhe një vit pas Rezolutës së Kuvendit për Telekomin e Kosovës.

Ai thotë se më 12 korrik 2018 u mor vendimi që duhet të mbrohet Telekomi edhe si duhet të nxjerrët nga kriza ai, mirëpo sipas tij, që atëherë, asnjë fjalë e asnjë vendim nuk është marrë nga qeveritarët.

Sipas Kurtit, në Rezolutë në 12 pika përshkruhen hapa të cilët nëse ishin ndërmarrë me kohë nga Qeveria dhe institucionet përgjegjëse, sot Telekomi do të kishte marrë frymë lirisht.

“Por PANQeveria zgjodhi të eksperimentojë me persona joprofesionistë e të kompromentuar nga radhët e tyre, në krye të Telekomit”, ka shkruar ai në Facebook.

Sipas tij, aktualisht Qeveria dhe drejtuesit e Telekomit po hamendësohen a do t’ia shkëpusin apo jo kontratën Z-Mobile dhe kur do t’ia paguajnë gjobën arbitrare, në vend se prerazi të merrnin vendim për ndërprerjen e saj dhe ta dërgonin në organet e sigurisë e drejtësisë këtë rast të krimit të organizuar.

“Në ekonominë e vendit tonë, Z- Mobile nuk është krijuese e vlerës dhe pasurisë por rrëmbyese e tyre. E ky rast nuk është i izoluar. Ai përshkruan sferën e tyre të veprimit: grabit, grabit, grabit. Një herë nga e mira publike, një herë si kompani në kurriz të publikes dhe një herë si gjobë ndaj publikes”, thotë ai.

Kurti thotë se Telekomi do t'i mbijetojë grabitësve, por që sipas tij, si në çdo fushë nevojitet organizim i profesionistëve të ndershëm, i punëtorëve të devotshëm dhe i sindikatës aktive.

“Mbështetja jonë nuk ka për të munguar”, thotë ai.