Papadopoulou: Qytetarët duan që të korruptuarit të shkojnë në burg, por nuk japin dëshmi

Papadopoulou: Është shqetësuese ikja e të rinjëve, politikanët të reflektojnë

12 July 2019 23:29
23:51

Shefja e Misionit EULEX, Alexandra Papadopoulou, nuk ka dashur të komentojë idenë e formimit të Tribunalit ndërkombëtarë për gjykimin e krimeve të luftës.

Sipas saj, drejtësia duhet të ndahet nga politika ndërkaq krimet e luftës duhet të dënohen.

Ajo thotë se krimet duhet të derisa shton se mënyra se si do të dënohet është çështje e vendimeve politike ose vendimeve praktike të marra nga autoritetet e vendit.

“Për mua, gjëja më e rëndësishme është se nuk ka aspak dyshim që krimet duhet të dënohen. Kjo është e qartë. Si do të bëhet kjo, është çështje praktike është çështje se si e shihni atë. Kjo është çështje e Kosovës”, ka deklaruar ajo.

Duke folur për mandatin e saj në Kosovë, ajo thotë se Kosova nuk është e njëjtë me atë të vitit 2000.

Sipas saj, në vend ka shumë jetë dhe Kosova është shumë e gjallë, ndonëse shqetësuese e sheh ikjen e të rinjve.

“Unë i shoh kosovarët e rinj me arsimim të mrekullueshëm që e lënë Kosovën sepse janë të frustruar. Kjo më shqetëson shumë, sepse nëse më të mirët dhe më e zotët largohen nga këtu, kush do ta vazhdojë ndërtimin e vendit? Askush. Kjo është shumë negative dhe mendoj se çdo politikan në Kosovë duhet ta vendosë atë si një prioritet të lartë, pse po ndodh kjo dhe si mund të ndalet kjo”, ka thënë ajo.

Sipas saj Kosova duhet t'i japë shpresë të rinjve.

“Ju e dini që e kaluara nuk përmbyllet kurrë në asnjë vend, sepse jetoni me të kaluarën dhe i mbani pasojat e së kaluarës. Por, duhet të shikoni drejt së ardhmes. Unë mendoj se të gjithë në Evropë dhe në SHBA, dhe miqtë tuaj presin që në një moment do të gjeni mënyrat dhe forcën për të arritur një marrëveshje”, ka shtuar ajo.

Ajo tutje ka thënë se si kryetare e kabinetit diplomatik të kryeministrit në Greqi do të angazhohet për një jetë më të mirë me fqinjët.

Vendet ballkanike janë fqinje të Greqisë. Si greke, pavarësisht nga pozita që ka Greqia, ose nëse ka ndonjë pozitë, ne ndjejmë, sepse jetojmë bashkë dhe çfarëdo që ndodh në njërin vend, ndikon në tjetrin. Nuk mundeni thjesht t'i mbyllni sytë dhe të thoni se nuk ju intereson. Unë kam punuar në çështjet e Ballkanit në kapacitete të ndryshme për më shumë se 20 vjet, mendoni se unë do të largohem tani dhe të them lamtumirë? Jo, sigurisht që jo. Kjo nuk diskutohet”, thotë ajo.

23:46

Papadopoulou: Shumë lëndë të gatshme për krime lufte u janë dorëzuar prokurorëve vendas

Shefja e Misionit EULEX, Alexandra Papadopoulou, duke folur për gjykimin e krimeve të luftës, ajo ka thënë se ka dëgjuar shumë kritika në Kosovë për EULEX-in që nuk i ndjek penalisht krimet e luftës të kryera nga serbët.

Ajo thotë se EULEX-i është i verbër kur është fjala për kombësinë e kryerësve të krimeve të luftës.

Ajo shton se ka shumë lëndë të gatshme për krimet e luftës që i janë dorëzuar prokurorëve vendas.

“Plotësisht i verbër. Por ligji juaj, deri kohëve të fundit, nuk ka lejuar ngritjen e aktakuzave në mungesë. Pra, kemi shumë lëndë, lëndë të gatshme, për krimet e luftës të kryera nga serbët, të cilat tani sipas mandatit të ri janë transferuar tek autoritetet lokale”, thotë ajo.

Sipas saj, ka raste të gatshme që janë hetuar dhe tani mund të ngritën aktakuzat në bazë të ligjit të ri që e lejon aktakuzën në mungesë, derisa shton se, këto lëndë janë në duart e prokurorëve special të Kosovës.

“Të Kosovës, sepse ne i kemi transferuar të gjitha lëndët, të gjitha rastet, gjithçka. Pra, nuk është se ne nuk e kemi bërë këtë. Ne kemi arritur deri te një pikë përtej së cilës nuk kemi mundur të shkojmë. Ndërsa kur njerëzit nuk dëgjojnë për aktakuza, atëherë mendojnë se ne nuk kemi bërë gjë”, ka shtuar ajo.

Ajo ka shtuar se EULEX-i nuk është nuk duhet të jetë në funksion armiqësor karshi institucioneve të Kosovës.

“Ai është larg nga kjo. EULEX-i është në funksion mbështetës. Si fillim, ai nuk ka qenë kurrë armiqësor, po ndonjëherë, ju e dini, ai u bë pjesë e debatit”, ka thënë ajo.

Sipas saj, kjo është një storje e madhe suksesi.

“Është duke funksionuar, ka bashkëpunim shumë të mirë në gjykatë midis gjyqtarëve shqiptarë dhe serbë. Mund të arrini çfarëdo marrëveshjesh dhe mund të keni çfarëdo ligjesh, por çka nëse ato nuk zbatohen? Aty, pra, hyn në ndihmë EULEX-i, në mbështetje të zbatimit”, tha ajo.

Ajo tutje ka shtuar se misioni e ka bërë të qartë që nuk janë pjesë e dialogut politik mes Prishtinës dhe Beogradit.

Ajo thotë se pavarësisht nga dialogu politik, pavarësisht nga marrëdhëniet dhe zhvillimet në dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit, Kosova ka nevojë për institucione të sundimit të ligjit.

“Është mirë për Kosovën dhe është mirë për qytetarët e Kosovës. Kosova ka të ardhme dhe ajo e ardhme nuk mund të jetë e ndritur pa sundim të ligjit. Prandaj, në këtë aspekt, ne jemi të verbër ndaj zhvillimeve politike”, ka thënë ajo.

Ajo tutje shton se dikush edhe dëshiron ta përdorë një mision si EULEX-i për qëllime politike.

Ndërkaq duke folur për Gjykatën Speciale, ajo ka thënë se është nën një ombrellë më të madhe, por e pavarur nga EULEX-i.

“Ne i ndihmojmë, u japim mbështetje operacionale dhe logjistike në kuadër të mandatit tonë, por ata janë të pavarur dhe ne nuk jemi të përfshirë në punën tyre. Pra, kjo është puna e tyre”, ka thënë ajo.

23:37

Papadopoulou: Kosova ka nevojë për prokurorë dhe gjyqtarë që janë në gjendje t’u thonë jo politikanëve

Papadopoulou thotë se sistemi i drejtësisë në Kosovë është duke funksionuar, gjë që sipas saj, paraqet arritje.

Sipas saj, në vend ka gjyqtarë të mirë dhe të këqij por që ky nuk është një problem i përvojës si përvojë, por edhe i mbamendjes institucionale, sepse sipas saj, këto janë institucione të reja.

Ajo tutje shton se problemi i drejtësisë në Kosovë është se shumica e rasteve të mëdha shkojnë te gjyqtarët e njëjtë. Sipas saj, kjo gjë duhet korrigjuar.

“EULEX është teknik. Unë nuk bëj, unë nuk do të bëjë ndonjë karakterizim të kësaj. Unë, si EULEX, vetëm e identifikoj problemin. Kjo është problem. Prandaj, duhet të vendosim një sistem në mënyrë që kjo të mos ndodhë. Në momentin kur kjo nuk ndodh më, e korrigjojmë problemin. Nuk është kjo punë për EULEX-in. Është për politikanët”, ka shtuar ajo.

Ajo tutje ka shtuar se problem tjetër që kanë identifikuar por që ka pasur progres të madh gjatë vitit të kaluar, është se në 70% të rasteve, ka qenë shqyrtimi joproduktiv.

“Për shembull, e keni datën të caktuar, paraqiten të gjithë përveç një personi, për shembull, një avokat, ose një gjyqtar, ose një prokuror. Gjykimi ndërpritet dhe caktohet tre muaj më vonë, ose një vit më vonë. Nëse shtyhen gjykimet, humb edhe rasti. Dhe, në të njëjtën kohë, njerëzit që ishin paraqitur aty, ishin përgatitur që të humbnin një ditë të tërë”, tha ai.

Sipas saj, kjo dukuri ka rënë për shkak të insistimit të EULEX-it, gjithashtu thotë se ka pasur vullnet politik nga Ministria e Drejtësisë, por edhe nga gjyqtarët, prokurorët, KGJK-ja dhe KPK-ja.

Ajo tutje ka pohuar se prokurorët e gjyqtarët janë të ndikuar nga politika.

“Këto janë gjëra që nuk mund t’i shihni në mënyrë konkrete, por mund të ndjeni se janë aty. Njerëzit e dinë çfarë duhet të bëjnë e çfarë nuk duhet të bëjnë, sepse do të ketë pasoja. Dhe, kjo është edhe më e keqe, sepse nuk mund ta dëshmosh ndikimin politik”, ka shtuar ajo.

Ajo thotë se sistemi i drejtësisë mund të reformohet përmes zbatimit të ligjeve.

“Sepse nëse jeni rigoroz me ligjin, jo vetëm me zbatimin e dënimeve por edhe me ligjin procedural, atëherë mund të ballafaqoheni me problemin”, thotë ai.

Ajo tutje shton se Kosova ka nevojë për prokurorë dhe gjyqtarë që janë në gjendje t’u thonë jo politikanëve.

“Po, kjo ju duhet. Dhe kur ju fola se si rastet e mëdha u ndahen gjyqtarëve të njëjtë. Duhet ta zbatoni ligjin me të cilin gjyqtarët caktohen me short, e jo nga kryetari, i cili thotë: ti mere këtë rast …. Si në lotari. Pra, ekziston një sistem lotarie”, thotë ajo.

Ajo thotë se nëse një gjyqtar i njëjtë i merr të gjitha rastet e mëdha, është e qartë se nuk e zbaton ligjin.

“ Nëse një gjyqtar i njëjtë i merr të gjitha rastet e mëdha, atëherë është e qartë se nuk janë duke e zbatuar. Prandaj, zbatojeni ligjin. Sa më rigoroz të jetë zbatimi i sistemit, aq më të mbrojtur do të jemi të gjithë ne, përfshirë edhe gjyqtarët dhe prokurorët”, thotë ajo deri sa shton se shoqëria duhet t’iu jap mbështetje gjyqtarëve e prokurorëve.

23:29

Papadopoulou: Qytetarët duan që të korruptuarit të shkojnë në burg, por nuk japin dëshmi

Shefja e misionit të EULEX-it në Kosovë, Alexandra Papadopoulou, ka thënë se qytetarët në Kosovë duan që personat e korruptuar të shkojnë në burg, por ata nuk janë të gatshëm të paraqiten dhe të japin dëshmi.

Duke folur për kapjen e ‘peshqve të mëdhenj’, ajo në “Interaktiv” të KTV-së ka thënë se kjo ishte edhe pritje e tyre, jo vetëm të qytetarëve të Kosovës.

“Sepse, edhe ne vetë prisnim, ishin këto pritjet tona, jo vetëm pritjet e qytetarëve kosovarë. Kjo është më e vështirë, mospërmbushja e pritjeve të qytetarëve sesa mospërmbushja e pritjeve tua. Sepse, kur doni t'i fusni njerëzit në burg, ju nuk i fusni njerëzit në burg, nuk i gjykoni njerëzit, nuk e filloni një procedurë gjyqësore të bazuar në spekulime, bazuar në logjikën e shëndoshë, bazuar në dyshime apo në bazuar në thashetheme”, ka thënë ajo.

Sipas saj prova e fortë nuk rritet në pemë por vjen nga qytetarët.

Ajo thotë se sistemi i drejtësisë në Kosovë nuk mund të ndryshohet vetëm duke i futur njerëzit në burg.

Papadopoulou thotë se nganjëherë janë akuzuar për shkak se shumë njerëz janë liruar, gjë që sipas saj është e saktë, por ajo thotë se kjo gjithashtu është pjesë e drejtësisë.

Ajo thotë se njerëzit nuk mund të futen në burg vetëm pse ekzistojnë pritshmëritë, derisa shton se këto janë probleme me të cilat do të ballafaqohet gjyqësori kosovar.

“Por, në bazë të përvojës së EULEX-it, ju lutem qëndroni pranë gjyqësorit tuaj. Gjyqësori juaj duhet të jetë i pavarur. Nëse nuk ka prova, njerëzit nuk shkojnë në burg. Kjo është shumë e rëndësishme”, ka thënë ajo.

Ajo tutje ka shtuar se për nëntë vjet Kosova ka bërë progres në sundimin e ligjit.

Sipas saj ka ende shumë punë për t’u bërë, ani pse shton se nuk duhet pritur mrekulli.

Ajo thotë se sundimi i ligjit nuk ka të bëjë vetëm me miratimin e ligjeve.

“Kosova ka më shumë se ç’i duhen ligje dhe deri tani kur po flasim, ajo ka ligje shumë të mira në përputhje me standardet evropiane dhe sundimin e ligjit. Sundimi i ligjit ka të bëjë me botëkuptimin, ai është ndryshim shoqëror dhe në çdo vend ndryshimet shoqërore kërkojnë kohë”, ka thënë ajo.

E, duke folur për punën e misionit të EULEX-it në Kosovë, ajo thotë se ka gjëra të cilat do të mund të bëheshin më mirë ose ndryshe, por që sipas saj, duhet gjetur bilancin e punës së tyre, të cilin ajo e vlerëson si pozitiv.

“Për mua, qëkur kam ardhur këtu, e kam thënë kaq shumë herë se menaxhimi i pritshmërive ishte një fushë ku dështuam. Dhe duke thënë kështu, më duhet ta nënvizoj se të gjithë e gjykojnë EULEX-in dhe mendojnë për të vetëm sa u përket gjykimeve, gjykimet e profilit të lartë, punën që bëmë si gjyqësor ekzekutiv”, ka thënë ajo.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme