Koalicioni "Vakat" kërkon zyrë bashkëpunimi Kosovë-Bosnje, Haradinaj e përkrah Foto: Koha

Koalicioni "Vakat" kërkon zyrë bashkëpunimi Kosovë-Bosnje, Haradinaj e përkrah

12 July 2019 17:57

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka përkrahur iniciativën e koalicionit boshnjak “Vakat“ që në Prishtinë të hapet zyra e bashkëpunimit dhe lidhjes mes Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës.

Këtë kërkesë, përfaqësuesit e koalicionit “Vakat“, ia paraqitën Haradinajt gjatë një takimi të zhvilluar të enjten, në përvjetorin e masakrës së Srebrenicës.

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, nga ky koalicion, Duda Balje, ka thënë se sipas planit, kjo zyrë do të shërbente për qytetarët e të dyja vendeve, në mënyrë që të paraqesin nevojat dhe problemet, siç është liria e lëvizjes.

„Kjo nuk është menduar të funksionojë në bazë të sistemit të ambasadës, por si zyre komunikimi dhe autoritetet e Bosnje dhe Hercegovinës nuk kanë detyrim të bien dakord me këtë“, tha Balje, por sipas saj, e njëjta zyrë, mund të hapet edhe në Sarajevë, nëse Bosnja, ka interes për diçka të tillë.

Zëdhënësja e Qeverisë së Kosovës, Donjeta Gashi, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë, se kryeministri Haradinaj shprehu mbështetjen e tij, në funksion të shikimit të të gjitha mundësive, që kjo kërkesë e komunitetit boshnjakë në Kosovë të gjejë zbatim.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka refuzuar këtë javë të marrë pjesë në Samitin e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore në Jahorinë afër Sarajevës, për shkak se siç ka thënë "trajtimi dhe deklaratat nga Presidenca e Bosnje dhe Hercegovinës nuk janë në favor të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe vlerave dhe parimeve të BE-së".

Bosnje e Hercegovina nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe ndërmjet dy vendeve ekziston regjimi i vizave.

Në anën tjetër, qytetarët e Kosovës dhe të Serbisë mund të udhëtojnë lirisht nga një vend në tjetrin./rel/

Komentet

Shto koment

Të ngjashme