Arbëri

Mustafa: Askush s’guxon t’i godasë kriminelët që kanë kapur shtetin prandaj po sulmojnë LDK-në

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, ka komentuar sulmet e fundit që kohëve të fundit po i bëhen kësaj partie, duke ndërlidhur me rrahjet që po bëhen në struktura në degë e nëndegë nëpër komuna.

Mustafa, në një postim në facebook, thotë se ndihet krenarë me partinë e vet, e thotë se askush s’guxon t’i sulmojë ata që janë në krye të shtetit, e që në partitë e veta kanë kriminelë, prandaj po e sulmojnë partinë që ai e drejton.

“Janë këto disa nga cilësimet që po i bëhen LDK-së: Filani… i jap goditje të fortë LDK-së, ai… e godet LDK-në, ajo.. zbraz arsenalin (me gjuhën e “Zërit te Popullit”) kundër partisë së Isa Mustafës, ai tallet me LDK-në… me Isa Mustafën... Askush s’guxon të godas konkretisht e as t’i grushtojë verbalisht baballarët dhe patronët e korrupsionit, krimin dhe kriminelët, subjektet në të cilat veprojnë ata, as të tallet me ta, sepse ata ua kthejnë me grusht i përnjëmënd ( dhe jo vetëm me grusht); ata e kanë kapur shtetin, po bëjnë çfarë po donë, kurse njerezit sikur ngushëllohen kur thonë “ pse a keni pritur diçka më mirë prej tyre”?! Prandaj i sulen LDK-së”, ka shkruar Mustafa.

Kujtojmë se dje, historiani dhe shkrimtari Jusuf Buxhovi në Rubikon të KTV-së ka deklaruar se LDK-ja është marionetë e PDK-së që nga viti 2006.

Buxhovi: Nga 2006 LDK-ja marionetë e PDK-së

Kryetari i Lidhjes Demokratike thotë se ndihet mirë që të paktën, në partinë e vet nuk ka “banditë e kriminelë”.

Mustafa, thotë se ata që tash po e sulmojnë LDK-së janë “disa kurrëkusha që kanë dështuar”.

“Dhe mua më vjen mirë që njerëzit e kritikojnë LDK-në. Mburrem se LDK nuk është subjekt që brenda ka banditë e kriminelë dhe që askush nuk ka pasoja që na sulmon, që kritikon dhe shfryhet në LDK-në. Pasi nuk guxojnë të shfryhen te tjerët. Por kush janë ata që po e “godasin” LDK-në. Janë askushi. Individë që edhe në kohën e Ibrahim Rugovës e kanë braktisur LDK-në, janë shëtitur përreth globit të partive tjera, nuk kanë zënë vend askund dhe tani rikthehen për të qenë guardian të “rugovizmit” për interesa të tyre dhe të porositësve. Janë shokë, e ish shokë, zyrtarë, anëtarë publik e jopublik të PDK-së që i kanë ngritur përmendore shefit të tyre deri sa kanë përfituar bashkë, e kur janë hidhëruar mes vete, e sulmojnë LDK-në se paska qeverisur me PDK-në. Janë disa kurrkusha të LDK-së që kanë dështuar, që s’ia kanë sjellë asnjë votë LDK-së, veç se ia kanë zvogëluar, dhe gjejnë të shfryhen në partinë e tyre se nuk është dashur të qeverisë me vendin. Për ta më mirë është të qeverisë kushdo me Kosovën, sesa LDK-ja, e cila tregoi se qeveris pa korrupsion dhe në mënyrë demokratike. Janë qarqe të caktuara që vet konstruktojnë lajme të rreme, siç ishte ai se Kryetari i LDK-së për t’u bërë President, ia paska dhënë postin e kryeministrit VV-së, pastaj e bëjnë një gjysmëkthesë dhe hapin debat për rrena të tyre”, shkruan Mustafa.

Megjithatë, kryetari i LDK-së thotë se kjo parti nuk i nënshtrohet shantazheve.

“Do të ishte fatale, sikur LDK të ishte e dobët dhe t’u nënshtrohej shantazheve. E sulmojnë sepse është e fortë. Disa nuk e durojnë ideologjikisht, disa i frikësohen se do të vjen në pushtet, prandaj shumë bëhen bashkë kundër LDK-së. Edhe përkundër kësaj lufte LDK po qëndron parti e parë, unike në tërësinë e saj dhe e përgatitur ta drejtojë qeverinë e vendit. Është parti që respekton familjen, fenë, që kultivon traditën, solidaritetin e brendshëm dhe mirëkuptimin. LDK është e vetëdijshme se njerëzit e saj janë njerëzit e Kosovës, me të mirat dhe dobësitë e tyre. Idealistë, pragmatistë, të vyeshëm e punëtorë, besnikë, por aty këtu ka edhe egoistë, karrieristë, popullistë e anarkistë. Të tillë që me veprimet e tyre të papranueshme karrieriste në 3-4 nëndegë (prej 931-ve) prodhuan lajme, e të cilat lajme shërbyen për të mbuluar aferat e fajdeve, korrupsionit, keqpërdorimit të parasë publike, disfatave të qeverisë në arenën ndërkombëtare, vendimeve jokushtetuese të Qeverisë dhe Kuvendit, të njerëzve të BIA-s që e kishin këshilluar Presidentin për një kohë!? Prandaj LDK është e fortë, sepse e njeh vetveten dhe e njeh Kosovën”, ka përfunduar Mustafa.